Një shoqëri në gjykim – Kosova

Një shoqëri në gjykim – Kosova

Ballsor Hoxha

Është dilemë, nëse liria jonë kosovare, siç e kemi fituar, është liri bastarde, e dhuruar, e panatyrshme. Apo, thënë ndryshe, nëse të gjitha viktimat, prej – hajnave – të pasluftës, e deri tek – të pastërtit – e pasluftës; e të gjithë ata në harrim që janë: të dhunuarit, të vrarët, të pagjeturit, miliona të deportuarit, janë të ndashme, të dallueshme, dhe për këtë edhe të politizueshme. Jo vetëm për serbët, për fuqitë e dyshimta të jashtme, por sidomos brenda dhe ndërmjet nesh!

Deshëm apo nuk deshëm, kështu më nuk kemi dallim, të gjithë, të ulur në gjykatë, apo përballë të të ulurve në gjykatë, jemi nën aktakuzë.

Kur vendos një shoqëri të akuzojë veten? Kur është fajtore!

Kur ndodh që ajo të ulë veten e saj në gjykatë, speciale? Kur është fajtore!

Kjo do të thotë se jemi fajtorë! (Si Gjermania Naziste, si Gjermania Komuniste!, që e bëri dy herë në historinë e saj!)

Por përballë kujt? Jo përballë Serbisë. Serbia ishte gjykuar, me bombardim, me gjykata ndërkombëtare të vetë presidentëve dhe gjeneralëve të saj, për tërë luftërat në Jugosllavi. Aq më shumë që të gjitha akuzat serbe në këtë gjykim janë tejet të anshme!

Si duket po e gjykojmë veten përballë vetes!

Apo, po e gjykojmë veten përballë lirisë, pavarësisë, dhe vetë të qenit tonë!

Është krejtësisht e qartë se të gjitha akuzat që qëndrojnë janë nga vetë ne, shqiptarët. Akuzat që vijnë nga Serbia, janë të paqëndrueshme dhe të njëanshme.

Në gjithë këto paradokse të renduara, del qartë dilema, kush jemi ne përballë lirisë sonë, pavarësisë sonë dhe vetë të të qenit tonë.

Para pyetjeve më lartë vjen një histori e tërë, tejet e shkurtër, dhe thellë e ndërlidhur me Kosovën.

1. Liria jonë është kompleksi më i madh bashkëkohor global, jo vetëm për mënyrën si është arritur, përmes luftës, por sidomos për shkak të vënies në rrezik të balancës së konstelacioneve globale. Që do të thotë shpërbërjes së inercionit të Serbisë. Si epiqendër e mundësisë së lakimit të rrymave globale: politike; religjioze; historike, dhe aq më shumë të të ardhmes së ripozicionimit.

2. Pikërisht pas kësaj ndodhi Twin Towres, Nata e Parisit, pastaj Bin Laden dhe ISIS dhe Siria në tërësi, terrori në emër të religjionit në territorin tejet të ndjeshëm të Perëndimit. U ringjallë ankthi global.

3. Pastaj, Bashkimi Evropian filloi të vuajë përfshirjen e guerilave Ruse që minojnë pikërisht kyçet komplekse dhe për këtë të brishta evropiane: prej përçarjes së Ukrainës, neutralizimit të Polonisë e tërë Evropës Lindore, e deri tek incidenti i para pak kohe në Mal të Zi, etj. Ka kohë që lufta ekonomike në fushëbetejën globale ndërmjet Lindjes së Largët bashkë me Rusinë si aleate, janë në ofensivë. Ka kohë edhe më të gjatë që vetëdija dhe orientimi radikal dhe ekstrem tradicional (lexo: të djathtës ekstreme), i masave të popujve evropian është në ngritje dhe në aleancë me këto më lartë.

 

4. Derisa njerëzimi reagoi, deri më tani Presidenti Donald Trump, ishte pika kyçe e reagimit edhe amerikan edhe global ndaj krizave globale dhe brenda shtetërore, dhe të ankthit të një Ere të re, apo fillim – mileniumit. Jo si e drejtë, jo si drejtësi, por si mekanizëm mbrojtës dhe kthim prapa në instinktiven vetëmbrojtëse. Megjithëse ai është duke humbur, ankthi global është tejet prezentë për një demokraci të gjatë në Amerikë.

5. Si përfundim, kjo histori, që lind, apo thënë më saktë ngrihet me lirinë e Kosovës, është pikërisht liria e Kosovës si hap i ri në njerëzim! Dhe në çdo hap të ri, global, rikthehet dhe ringjallet dyshimi, kërcënimi dhe paranoja e ndarjes dhe kosntelacioneve të pushtetit, kthehet ankthi në përmasa globale. Gjë që edhe krijon krater të ankthit global.

 

Nën këtë ankth, shpëtimtari kaloi në dhunues? Vetë shqiptari në gjykatës të shqiptarit? Tanimë jemi në gjykatë përballë vetes sonë? Jemi duke e gjykuar vetë lirinë dhe pavarësinë tonë!

Gjykojmë deri në absurd ku çdo gjë, tjetër, shndërrohet kundër nesh!

Liria, pavarësia dhe të qenit tonë, në themel, ka kufirin dhe gravitetin e saj: dhembjen. Liria pa dhembjen e saj, pa gravitetin e saj, është liri e braktisshme, e bartshme. Në liri të depersonalizuar. Jemi deperesonalizuar në gjykim të njëri tjetrit. Dhe ky gjykim ka kaluar në duar të tjera, është vetë gjykimi ynë ndaj njëri tjetrit.

Dhe ende vazhdojmë të shikojmë TV-të tona, duke u marrë në burg tanët një nga një. Vazhdojmë të jemi të gjykuar të gjithë, pavarësisht, si dëshmitarë apo si të akuzuar. Vazhdojmë të gjykojmë. Të kryejmë punën për gjykatat, speciale. Dhembja e lirisë sonë, athua ku është?