Gërguri-Grenellit: Serbia ua mohon të drejtat shqiptarëve në Luginë
Udhëheqës fetar i Shoqërisë Musimane Shqiptaro Amerikane të Detroitit, Shuajb Gërguri i ka thënë ambasadorit Richard Grenell, i dërguari special i Presidentit Trump për ndërmjetësimin në mes Kosovës dhe Serbisë, se përderisa Serbia kërkon të drejta maksimale për serbët në Kosovë, ajo ua mohon edhe të drejtat më elementare shqiptarëve në Luginë.
Gërguri ka dhënë detaje për një takim të ndodhur ditë më parë në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ambasadorin Grenell, ku ka thënë se tërë kohën dëgjohet gjatë negociatave rreth të drejtave të serbëve në Kosovë, po asnjëherë nuk dëgjohet as një fjalë të vetme në lidhje me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët i janë nënshtruar një diskriminimi sistematik dhe spastrami etnik në heshtje nga regjimi serb.
“Përderisa Serbia kërkon të drejta maksimale për serbët në Kosovë, ajo ua mohon edhe të drejtat më elementare shqiptarëve në Luginë saqë edhe librat e shkollës fillore në gjuhën shqipe të dedikuara për shqiptarët atje nuk lejohen te futen në Serbi. Mendoj se është shumë e drejtë dhe normale që të kërkohet që çfarëdo të drejte që gëzojnë serbët në Kosovë, të njëjtat të drejta t’i kenë edhe shqiptarët brenda kufijve të Serbisë, apo jo? Ambasadori ndërhyri duke thënë: ashtu është”, ka thënë ai.
Sipas tij, populli i Kosovës është i shqetësuar në lidhje me negociatat të cilat po zhvillohen me Serbin.
“Ju falënderoj shumë që sqaruat shumë mirë së ju jeni kundër shkëmbimit të territoreve në mes dy vendeve, por ajo që na shqetëson është dialogu rreth associacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ne jemi për të drejtat e secilit banorë të Kosovës bazuar në standardet më të larta evropianë të të drejtave të njeriut. Por jemi kundër kompetencave ekzekutive çfarëdo entiteti i cili do ta bënte Kosovën shtet jo funksional siç e kemi rastin e Bosnjës”, ka thënë ai.























