Njohës të rrethanave politike: E vështirë të krijohet një qeveri e unitetit
Njohës të rrethanave politike në vend e shohin të pamundshëm që brenda spektrit politik të arrihet pajtim për një qeveri të unitetit. Është e vështirë të arrihet kjo, edhe për faktin që brenda një subjekti politik nuk ka konsensus për këtë çështje.
Mosbesimi ndaj qeverisë Kurti, mund të jetënjëra nga arsyet që Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron të bëhet pjesë e qeverisë Hoti. Ndërkaq brenda PDK-së ka qëndrime të ndryshme, ka deputetë që janë pro një koalicioni me LDK-në, kurse një pjesë tjetër e kundërshton ashpër këtë. Në këtë situatë Albert Krasniqi nga Demokraci Plus thotë se është e vështirë të krijohet njëqeveri e unitetit. Megjithatë, nëse posti i presidentit akomodohet për PDK-në, atëherëgjasat janë pak më të mëdha për PDK-në.
“Duke pasur parasysh që posti i presidentit, mund të akomodohen më lehtë interesat e tyre dhe shto këtu edhe postet në qeveri që mund të ketë, pra është edhe në interesin e PDK-së që gjatë kësaj periudhe të jetë në qeveri- në kohën kur vetë lideri i saj dhe ish lideri i PDK-së, presidenti Thaçi do të ndihen më të sigurt duke pasur PDK-në në pushtet dhe do të mund të përfitonin më shumë nga mbrojtja shtetërore", tha Albert Krasniqi.
Për njohësin e rrethanave politike Fitim Salihun, qeveria mund të vazhdojë në përbërjen aktuale deri në kohën kur do të duhet të zgjidhet presidenti i ri.
“Me shumë gjasë do të vazhdohet me këtë format qeverisës. Gjërat do të komplikohen kur do të vijë koha për zgjedhjen e presidentit, kur nevojiten më shumë vota se ka aktualisht koalicioni qeveritar. Por deri atëherë nuk shoh mundësi as për një qeveri të gjerë e as qeveri teknike, tha Fitim Salihu.
Sidoqoftë ,shpallja e zgjedhjeve të reja, shihet si një opsion i cili në fund do të konfirmonte fuqinë e secilit subjekt nga qytetarët e vendit. Mbi këtë bazë do hapej rruga edhe për postin e presidentit.























