Avdullahu: Reagimet në Shqipëri për arrestimet e UÇK në Hagë, neveritëse

Avdullahu: Reagimet në Shqipëri për arrestimet e UÇK në Hagë, neveritëse

Është e kuptueshme që arrestimet ditëve të fundit të ish-ushtarëve, konkretisht të komandantëve të njohur të UÇK-së, shumica e tyre në pozita shumë të larta shtetërore dhe të tjera, nxitën reagime të shumta në Shqipëri.

Është po kaq e pakuptueshme, bile e përçudnume, sesi reagimet e zyrtarëve të lartë në Tiranë, pozitë - opozitë, i shfrytëzojnë këto ngjarje në Kosovë, për ta sulmuar e akuzuar njëri tjetrin, për ngjarje e veprime të vjetra e të reja, me kualifikime krejt të papranueshme deri për tradhti e bashkëpunim me Serbinë, thjeshtë për përfitime të momentit në dobi të agjendave të tyre ditore.

Kushdo që bëhet pjesë e këtyre linçimeve dhe akuzave, që, për çudi, kanë një lloj pasioni e zelli politikisht agresiv, le ta dijë se është duke ngjallur neveri, jo vetëm politike, në gjithë Kosovën. Në kohën kur Kosova po kalon ditë të vështira, dhe gjendet në një situatë jo të qëndrueshme, ajo e pakta që asaj i duhet nga Tirana është një unitet pragmatik i spektrit politik atje, për arrestimet që ndodhën ditëve të fundit.

Ajo që nuk i duhet aspak, e që po ngjallë zhgënjim e dëshpërim, është që këto ngjarje të përdoren e keqpërdoren vetëm për përfitime klanore e interesa personale.

Sot Kosovës nga Shqipëria i duhet një vlerësim i sinqertë e i drejtë dhe një qëndrim unik e vëllazëror, mbi vlerat e luftës, mbi veprat dhe flijimet të ushtarëve dhe prirësve të UÇK-së, dhe mbi padrejtësinë dhe njollosjen që po i bëhet të kaluarës së saj, duke akuzuar sot me trillime ata që dje i dolën përball regjimit millosheviqian.

Për shkak se në Tiranë jeni katandisur kështu jodinjitetshëm, duke i shfrytëzuar këto arrestime për të akuzuar njëri- tjetrin e duke mos pasur as unitet as konsideratë, nuk është aspak e tepërt për t’ua kujtuar një diçka që duhet të gjithë ta keni ndërmend pandalshëm e të mos e harroni asnjëherë se, Serbia ndaj të gjitha këtyre arrestimeve sot, flijimeve dhe luftës së shqiptarëve dje, punoi dhe punon fortë dhe me djallëzi kundër dhe mbi të gjitha kjo Serbi ka unitet të palëkundur dhe qëllim të qartë për të gjitha këto.