Haziri: Asnjë rast i infeksionit s’është shënuar në shkolla dhe xhami
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, deklaroi sonte në një konferencë për media, se rastet e fundit kanë bërë që situata me pandeminë koronavirus të jetë alarmante, por u shpreh se është duke u punuar në menaxhimin e saj.
Ai pas takimit të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 ka thënë se nuk ka vend për panik, teksa apeloi qytetarët t’iu përmbahen me përpikëri masave antiCOVID-19.
“Jemi në kohën e gripave sezonalë dhe kërkohet menaxhim sa më i mirë. Përveç shëndetit publik, detyra jonë 24 orë e 7 ditë është ta ruajmë shëndetin e ekonomisë. Po punojmë me mekanizmat komunalë e regjionalë, sikurse edhe në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin e situatës”, tha Haziri.
Kreu i Gjilanit ka njoftuar se në ditët e fundit, asnjë rast i infeksionit nuk është shënuar në shkolla e objekte fetare.
“Shkollat dhe objektet fetare nuk janë burim i infeksionit”, tha Haziri.
Që nga shpërthimi i epidemisë në Gjilan me koronavirus janë regjistruar 1800 raste, prej tyre 1272 janë shëruar, 310 janë raste aktive, 39 të vdekur dhe 120 mostra janë në pritje.























