Bayern Munich cinik, Borusia Dortmundi është akoma e vogël
Bayern Munich vazhdon të jetë skuadra më e mirë në Bundesligë. Këtë e tregoi edhe në sfidën ndaj Borusias së Dortmundit të shtunën në mbrëmje në “Signal Iduna Park”.
Flick dhe skuadra e tij fituan me lojë dhe rezultat ndaj një kundërshtari i cili konsiderohet si më i miri pas bavarezëve. Por, kampionët nuk njohin limite dhe në Dortmund fituan me zgjuarsi, edhe pse kishin fatin me vete.
Flick, ndryshe nga ndeshja në Superkupë, ia dhuroi topin kundërshtarit duke menduar të luante me kundërsulm. Mund të themi që ishte zgjedhja më e mirë pasi Borusia kontrolloi lojën dhe u peshkua nga taktika e Flickut, i cili e gjeti skuadrën e Favresë të zbuluar në prapavijë në shumë raste. Mjafton të shohësh golin e tretë të shënuar nga Lery Sane.
EKSPERIENCA
Ndeshjet e mëdha fitohen nga lojtarë të mëdhenj dhe në skuadrën e Bayernit ata janë me shumicë. Rasti më konkret ishte në fund të pjesës së parë kur Borusia kaloi në avantazh pas golit të kapitenit Marko Rojs. Bayerni shënoi menjëherë duke barazuar rezultatin falë një kryevepre të David Alaba-s i cili tregoi edhe një herë klasin e tij. Kjo mendohet të ishte edhe kthesa për kampionët që më pas, në pjesën e dytë, diktuan lojën. Është luajtur vetëm java e shtatë dhe Bayerni kryeson tabelën i vetëm me 18 pikë, dy më shumë se Lajpcigu i vendit të dytë dhe Borussia që pas humbjes në klasike zbriti në të tretin me 15 pikë.
Forma e kampionëve në fuqi është me të vërtetë mbresëlënëse duke treguar se edhe në këtë sezon ata do të jenë një kockë e fortë për titullin e nëntë kampion radhazi. Të mundësh skuadrën e Flickut duhet të jesh në ditën tënde më të mirë e të kesh shumë fat dhe, sigurisht, shumë cilësi që për momentin nuk i ka asnjë skuadër tjetër, madje as nënkampionët e Borussis që edhe këtë herë u dorëzuan pa kushte ndaj bavarezëve.























