Inter nxjerr në shitje Eriksen, danezi vëzhgohet nga Reali e PSG
Janarin e kaluar iu bashkua Interit me bujë të madhe, por Christian Eriksen nuk po ia del të bëhet pjesë e lojës së zikaltërve dhe së fundi marrëdhëniet me trajnerin Antonio Conte kanë shkuar në nivelet minimale.
Ankesat e vazhdueshme të danezit për minutazhin e paktë, por edhe paraqitjet e tij zhgënjyese në fushë, në përballje si ato ndaj Genoas e Parmës, kundërshtarë relativisht të lehtë, kanë bërë që Conte të mos i japë asnjë minutë futbollistit në ndeshjet ndaj Realit të Madridit dhe Atalantës.
Trajneri zikaltër modifikoi edhe skemën, duke kaluar nga 3-5-2 në një 3-4-1-2 për të aktivizuar Eriksen pas sulmuesve, në rolin e tij të preferuar, por përgjigjet në fushë kanë qenë negative, pasi fantazisti danez duket se po vuan shumë më tepër përshtatjen në kampionatin italian.
Pikërisht për këtë arsye drejtuesit zikaltër së fundi po marrin në konsideratë largimin e Eriksen në merkaton e dimrit, por me kushtin e shitjes përfundimtare dhe jo një huazimi të thjeshtë.
Interi shpenzoi rreth 27 milionë euro për kartonin e tij në janarin e kaluar dhe do të ishte gati të hiqte dorë për një shifër minimale prej 35 milionë eurosh.
Aktualisht për fantazistin danez kanë treguar interes klube si Reali i Madridit dhe Paris Saint Germain dhe pikërisht te kampionët e Francës janë edhe shpresat e Interit, pasi marrëdhëniet mes drejtuesve janë optimale dhe francezët janë të vetmit që mund t’i lejojnë vetes investime të tilla në muajin janar.
Nëse gjithçka do të mbyllet me sukses, atëherë te Interi do të hidhen menjëherë në sulm për të afruar një tjetër futbollist dhe emri në krye të listës duket se është argjentinasi i Udineses, Rodrigo De Paul.
Ky i fundit është pjesë e kampionatit italian prej disa sezonesh dhe ka treguar se mund të luajë në të gjithë pozicionet e mesit të fushës në skemën 3-5-2 apo atë 3-4-1-2, ndërsa ajo që josh më shumë zikaltrit është edhe çmimi që nuk shkon më shumë se 30 milionë euro.
Në këto kushte Marotta dhe Ausilio do të kishin mundësi që përveç afrimit të De Paul, të provonin edhe blerjen e një sulmuesi me eksperiencë, pasi koha po tregon se Sanchez nuk ka vazhdimësi, Pinamontit i mungon eksperienca dhe Lautaro e Lukaku janë shumë pak për të përballuar ngarkesën e sezonit.























