Zv/ministri pas sulmit rus ndaj UÇK:Serbia e Rusia s`e pranojnë poshtërimin
Pas deklarimeve të Ministrisë së Jashtme të Rusisë që ish-krerët e UÇK’së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare të marrin “dënimin e merituar”, ka reaguar zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Muhamet Brajshori.
Brajshori ka thënë se përpjekjet e Rusisë kundër Kosovës nuk do marrin fund, pasi që shteti rus dhe Serbia nuk do mund ta pranojnë, siç e quan ai, poshtërimin e 1999’ës, duke iu referuar fushatës bombarduese të NATO’s në Kosovë. Ai këto komente i bëri në llogarinë e tij në ‘Twitter’.
“Qëllimi ishte gjithmonë i qartë: sulmi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra themelet e shtetësisë sonë. Serbia dhe Rusia nuk do ta pranojnë kurrë poshtërimin që morën në vitin 1999, dhe kjo është arsyeja pse përpjekjet e Rusisë kundër Kosovës nuk do ndalojnë asnjëherë. Përkundrazi, ato vetëm se do zgjerohen në muajt në vijim”, ka deklaruar diplomati kosovar.
Tutje, ai raportin e Dick Martit, dokumentin mbi të cilin është ngritur Gjykata Speciale për Krime Lufte, është financuar nga Konstantin Kosachev, diplomat rus që drejtoi delegacionin e Dumës së Shtetit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) nga 2004-a në 2012-ën.
Raportin e Dick Martit e ka kontestuar edhe përfaqësuesi ligjor i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Gjykata e Hagës për krime lufte. Ai ka pyetur në lidhje me një nga pikat më kontestuese të këtij raporti, të ashtuquajturës “Shtëpi e Verdhë”.
“Ku janë pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore? Dhe historia e Shtëpisë së Verdhe që ishte kaq e rëndësishme në nxitjen për krijimin e kësaj gjykate?”, pyeti ai përgjatë seancës së parë gjyqësore të Thaçit.
























