U kritikua pas humbjes ndaj Shqipërisë, ja përgjigja e Zhegrovës
Pas humbjes së Kosovës së tij ndaj Shqipërisë me rezultatin 2-1 në miqësoren “Vëllazërore” të luajtur pasditen e sotme në “Elbasan Arena”, Edon Zhegrova i cili njihet me anën e tij teknike sipas mediave kosovare ai ka përfunduar në qendër të kritikave.
Pjesë e kësaj kritike ishte se sulmuesi 21-vjeçar i Baselit, mori një top në hyrje të zonës së Kombëtares shqiptare, dribloi tri kundërshtarë, por në fund ai e humbi topin.
Pas sulmit mediatik ndaj tij, Zhegrova nuk ka munguar t’i replikojë me një postim në rrjetin e tij zyrtar në “Instagram”:
“Kam ardhur në kombëtaren e Kosovës dhe asnjë minutë nuk hezituar të mos pranoj ftesën. E dini ju, e ka thënë edhe i ndjeri Fadil Vokrri se këtë vend e dua më shumë se të gjithë ju, që shkruani kundër meje dhe kundër Kosovës. Në qoftë se unë nuk do e kisha pranuar ftesën në fillim, të gjithë do të më kishit quajtur tradhtar si shumë të tjerë, që i keni quajtur.
Më besoni që të gjithë djemtë në kombëtare kanë ardhur me zemër dhe për të dhënë maksimumin. Ju që jeni kundër kombëtares dhe bashkëlojtarëve të mi, ju nuk jeni me ne. Kosovë të dua krenare”, përfundon shkrimin sulmuesi Zhegrova.























