Shala: Aktakuzat e ngritura nga Prokuroria e GjS, të fabrikuar nga Serbia
Në emisionin Studio e hapur te RTK, deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala, foli për situatën në vend, me theks të veçantë, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e GjS ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas tij, krijimi i GjS është ngritur nga politika, ku të gjitha pretendimet e GjS, gjegjësisht, nga prokuroria për ish-krerët e UÇK-së, janë pretendime politike, sepse dikujt i shërben kjo çështje.
“Kjo vërehet edhe nga vetë seancat e mbajtura, bile dhe vetë institucionet serbe deklarohen se janë aktakuza të fabrikuara nga ta. Pra shihet si tendecë për eleminimin politik të ish-krerëve të UÇK-së", sqaroi deputeti Shala.
Tutje ai shtoi se kjo gjykatë është krjuar nga vetë ne, por rrethanat që është krijuar dihet se ndaj nesh ka qenë shtruar një trysni e madhe nga ndërkombëtarët për të krijuar këtë gjykatë, pavarësisht se ne, që atëherë, kemi deklaruar se është e dëmshme, ngase aktakuzat e pretenduara për transplantim të organeve, të ngritura nga Dick Marty, dolën që janë gënjeshtra.
Deputeti, Haxhi Shala, hodhi dyshimin se çështja e transplantimit të organeve mund të jetë kryer edhe nga vetë serbët.
Duke shprehur përjetimet e veta lidhur me dërgimin e ish-krerëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës, deputeti Shala deklaroi se është e dhimbshme, "çdo person që i gëzohet arrestimit të pjesëtarëve të UÇK-së është gjakprishur".
Ndërkaq lidhur me cilësimin e prokurorisë së GjS se krerët e UÇK-së ishin pjesëtarë të një të ashtuquajtur ndërmarrje e përbashkët kriminale, deputeti Shala vlerësoi se kjo është aktakuzë e marrë dhe e bazuar nga pala serbe, ndërkohë që UÇK ka qenë, siç u tha nga ish-krerët e UÇK-së-ndërmarrje e përbashkët çlirimtare.
“Nëse qëndruaka aktakuza e prokurorisë ndaj nesh si ndërmarrje kriminale, atëherë si do të cilësohet NATO, si bashkëpunëtore e ngushtë e UÇK-së”, shtroi pyetjen deputeti Shala.
Më tej, deputeti Shala foli edhe për ecurinë e gjendjes në vend, ku, sipas tij, institucionet e vendit duhet të jenë syçelë dhe të jenë unikë në çështjet jetike për vendin./RTKLive























