Morata flet për periudhën që po e kalon
Në prag të ndeshjes së rëndësishme, të cilën Spanja e zhvillon në kuadër të Ligës së Kombeve kundër Zvicrës, Alvaro Morata foli për momentin e tij pozitiv për sa i përket vazhdimësisë dhe performancës në fushë.
“Unë e kam kërkuar prej kohësh një periudhë si kjo. Do të jetë hera e dytë në karrierën time, që kam për të luajtur gjashtë ndeshje radhazi për më shumë se një orë. Këtë vazhdimësi nuk e kam pasur kurrë, madje as në sezonet e mia të para në Torino, ku isha vetëm 19 vjeç. Ndihem mirë, jam i lumtur te Juventusi, ku po kaloj një moment të shkëlqyeshëm”.
Morata më pas nënvizoi gëzimin për kthimin në ekipin kombëtar, duke premtuar se do të bëjë shumë mirë edhe për “La Roja”.
“Është thjesht çështje e dërgimit të topit në portë. Kjo është detyra ime. Unë jam i njëjti lojtar si gjithmonë, por mbase tani kam fituar një pjekuri më të madhe. Gjëja e rëndësishme është të luash, sepse sa më shumë ta bësh këtë, aq më i qetë je, aq më mirë e di se çfarë të bësh në fushë”.























