“Netët e leximit të dramës shqipe” kalon online

“Netët e leximit të dramës shqipe” kalon online

Teatri Kombëtar realizon çdo nëntor leximin e veprave më të mira shqiptare nga trupa e këtij institucioni që më pas edhe përzgjidhen për të qenë pjesë e repertorit të shfaqjeve të sezonit artistik.

Këtë vit ishin përcaktuar edhe veprat që do të ishin pjesë e leximit publik, ishin vendosur gjithashtu edhe datat që përkonin edhe me festat e 17, 28 dhe 29 nëntorit, por vendimi më i fundit që u mor nga Komiteti i Ekspertëve për evitimin e grumbullimit të njerëzve më shumë se 10 persona me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, detyroi Teatrin Kombëtar që ta kalojë aktivitetin online.

Drejtuesit e Teatrit Kombëtar vendosën që këtë proces përzgjedhjeje ta shtyjnë për disa ditë dhe t’i jepnin kohë vetes që më pas të zhvillohej online.

Vepra e radhës që ishte planifikuar për t’u lexuar në datën 17 nëntor për të festuar edhe ditën e çlirimit të Tiranës ishte “Hijet e Natës” nga shkrimtari i njohur Vedat Kokona.

Leximi  i kësaj vepre u vendos që të shtyhet për në datën 21 nëntor 2020 dhe do të lexohet online në faqen zyrtare të Teatrit Kombëtar, ku të gjithë artdashësit të kenë mundësinë të ndjekin leximin e të gjitha veprave që do  të jenë pjesë e këtij procesi./atsh