Tribunal i luftës për krimet dhe gjenocidin e kryer serb ndaj shqiptarëve

Tribunal i luftës për krimet dhe gjenocidin e kryer serb ndaj shqiptarëve

Alben Eshrefi

Ngritja e Tribunalit të Luftës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të kryera e të pandëshkuara të forcave të armatosura policore e ushtarake serbe ndaj shqiptarëve dhe etnive tjera në vitet e luftës 1998-1999 në Kosovë, para se gjithash është obligim dhe detyrë që duhet iniciuar nga ana e organeve shtetërore të Republikës së Kosovës si dhe paraqet domosdoshmëri ndaj kujtesës sonë kombëtare kolektive, sakrificës së martirëve, viktimave dhe familjeve të tyre si dhe të vërtetës së historisë sonë për çlirim, liri dhe pavarësi të Kosovës.

Bazuar në faktet e ditura dhe të njohura botërore të fushatës së mirëplanifikuar e të institucionalizuar të Serbisë gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë, me qëllim të vrasjeve masive të shqiptarëve, dëbimin e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, vrasjen e 12 mijë civilëve shqiptarë dhe etnive tjera duke përfshirë: të sapolindur, fëmijë, gra dhe pleq, kryerjen e mbi 100 masakrave ndaj shqiptarëve të pambrojtur, shkatërrime dhe djegie masive të mijëra e mijëra shtëpive, dhunë seksuale ndaj 20 mijë grave të pambrojtura, përjetimin e vuajtjeve, traumave dhe trajtimeve çnjerëzore të luftës së qindra e mijëra shqiptarëve në Kosovë, humbja e gjurmëve të civilëve të vrarë e masakruar, shkatërrimin e ekonomisë dhe të objekteve shkollore, kulturore e fetare e shumë e shumë krimeve të tjera makabre.

Ky Tribunal, do të hetonte, dokumentonte dhe gjykonte krimet dhe gjenocidin serb, bazuar në praktikat ndërkombëtare për administrimin e drejtësisë duke përfshirë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme e të domosdoshme duke punuar në mënyre profesionale e të paanshme, në bashkëpunim dhe duke përfituar mbështetjen e shteteve mike perëndimore dhe aleatit tonë SHBA-ve, për vënien në vend të drejtësisë dhe të vërtetës.

Përderisa, nuk ngritet Tribunali për krimet dhe gjenocidin e kryer serb ndaj shqiptarëve, gjithmonë do të kemi fyerje të rëndë ndaj viktimave të këtyre krimeve, familjarëve të tyre dhe gjithë kombit shqiptar e etnive tjera ndaj të cilëve është kryer gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Në këtë rrafsh e në këtë drejtim, edhe organizatat, institutet, profesionistët e fushës dhe shoqëria në përgjithësi, do të mundnin dhe do të duhej të mbështetnin në ngritjen e këtij Tribunali dhe në dokumentimin e krimeve dhe gjenocidit serb të ushtruar ndaj shqiptarëve dhe etnive tjera.