Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

Pantokratët e shtetit drejt përmbysjes

Shkruan: Xhemal Ahmeti

UÇK para gjyqit. Pandemia vret. Shteti në kaos. Dhunë në parlament. Islamisti radikal kushtëzon punën në Parlament me zërin e myezinit. Partitë e thirrura nga elektoratet e tyre të marrin përgjegjësi në krizë duan postet kyçe dhe s'kanë kohë të merren me çështjen e «konsumuar të të pagjeturve». Kosova në luftë për mbijetimin e radhës. 
 
Dje në Parlament situata eskaloi në dhunë. Nuk ishte e hera e parë. Të dyja partitë – protagonistët si ashtu – që zbavitën opinionin me aftësitë e tyre marciale janë të njohura për imazhin se nuk ngurrojnë as nga përdorimi i dhunës kur acarohen me kundërshtarët e tyre -  dhunën tashmë e kanë bërë pjesë të habitusit të tyre politik. 
Megjithatë konfliktin e djeshëm duhet lexuar më ndryshe se herët tjera, kur ai ishte vetëm manifest i luftës së partive për primat, pushtet mbi shtetin. Duhet lexuar ndryshe ngase jo të gjithë dje u bënë pjesë e luftës për pushtet dhe se kriza nuk e ka burimin brenda po jashtë Kosovës.
Në debatin e djeshëm bëhej fjalë për të «pagjeturit, sjelljen e Serbisë, heshtjen e BE-së dhe Gjykatën Speciale». Temat, sipas analistëve të brendshëm e të jashtëm, përbëjnë de facto krizën e rëndë vendore. Disa nga analistët ashpërsimin e krizës e shohin tek paaftësia e kësaj Qeverie të përballet me problemet aktuale. Të tjerë thonë se ajo është e aftë, porse presioni i ashpër i partive të tjera për postet si ai i Presidentit dhe ai i Kryeministrit e bllokojnë atë ashtu saqë duhet të luftojë për mbijetesë e nuk i dhurohet as kohë të «bëjë luftë» edhe jashtë kancelarive të saja. 
Çka qëndron nga këto versione interpretuese? Parasëgjithash cili ishte thelbi i konfliktit të djeshëm; ai i qeverisë që u manifestua nëpërmjet qëndrimeve nënçmuese të Selmanajt dhe Gashit ndaj temës së të «pagjeturve» apo është problemi shumë më i thellë, saqë partitë e shumta nga frika për t’u marrë me atë, i janë kthyer narcizmit në kohë pandemish?
 
PANDEHJET
Retorika e Selmanajt që sugjeron temën e të pagjeturve si të «konsumuar» apo si mjet politik opozitar me të cilin «është lodhur» Qeveria që ai përfaqëson u perceptua si disfatë e shtetit ndaj gjendjes aktuale. Jo vetëm nga opozita. Shtypit dhe burimeve tjera publike ky qëndrim tashmë përkthehet si:
1. Paaftësi ose mosdashje e qëllimtë e Qeverisë aktuale për t'iu kundërvënë makinerisë serbe në përpjekjen e saj për ta kriminalizuar lirinë dhe shtetin e Kosovës. Atë, Qeverinë Hoti, as hapja e fakteve të reja siç janë varrezat masive nuk e tronditkan aspak që të vihet në lëvizje e të bëjë presion tek BE dhe organizatat supranacionale për t'i bindur se e gjithë afera rreth «shtëpisë së verdhë» ishte një sajesë e organizuar serbe për të difamuar luftën e drejtë të kosovarëve dhe intervenimin poashtu të drejtë të perëndimit kundër gjenocidit serb. 
2. Në vend të ofensivës për të mbrojtur luftën, e cila shërbeu si bazë e kësaj pavarësie, Qeveria e degradon atë në aferë teknike, me të cilën u dashka të merren vetëm forenzikët dhe ata që janë përgjegjës për t'ua kthyer eshtrat familjeve në vuajtje. 
3. Mosveprimin e kësaj qeverie sidomos hagiografët politik salloneve mediale e interpretojnë në dy versione sa vijon:
a) Ajo, Qeveria, në heshtje shpreson që Gjykata të ketë sukses, duke modifikuar historinë e luftës. Jo në favor të serbëve, por në konto të narrativës që ngulë këmbë shteti të jetë prodhim i luftës paqësore të Ibrahim Rugovës e jo më shumë si reagim i konfliktit të armatosur që lëvizi botën në intervenim.
b) Qeveria, në këtë gjendje të hipotonisë dhe presionit për t’u rrëzuar mundësisht nesër qenka e paaftë për të mobilizuar shtetin dhe shoqërinë në atë mënyrë saqë të bëjë politikë konform kërkesave akute që imponon situata. 
 
HOTI DHE TË TJERËT
Qeveria Hoti e di dhe e demonstron në vepër- me nervozën e eksponentëve të saj veçanërisht - të gjendet nën valët e tërmetit para përmbysjes. Ajo nuk ka legjitimitetin e nevojshëm. Këtë është e detyruar ta konfirmojë Gjykata, njëri nga deputetët votoi siç duket duke shkelur kushtetutën. AAK (+Nisma) që deri tani mban gjallë qeverinë në formën siç është kërkon postin e presidentit. Njëri nga eksponentët më autoritativ të PDK Shaqir Totaj tha se partia e tij «ndoshta» futet në qeveri por me kushtin që ta marrë postin e kryeministrit. Albin Kurti kërkon zgjedhje të reja me garancinë se do ta mbrojë UÇK-në dhe luftën e Kosovës pavarësisht se kush gjendet në gjykim të saj. 
Ky konfrigurim i qëndrimeve të Kurtit mirëpo u festua si dështim i tij nga konkurrenca politike. Dhe pikërisht kjo sjellje e tjerëve ndaj Kurtit ndanë shapin nga sheqeri: Kurti kësaj radhe priorizon interesin e shtetit para pushtetit, ndërkaq tjerët gabuan, gabojnë. Këta duke u frikësuar se do ta humbin pushtetin apo duke luftuar për postet kyçe të pushtetit rranë në provim para opinionit duke demonstruar veten të afta por vetëm për konkurrencë të brendshme politike e jo edhe për përballim me politikat e jashtme, sidomos kur ato janë ofensivë e shtetit serb që përpiqet ta deligjitimojë të drejtën e RK për të qenë shtet. 
Kështu është ngase, në këtë situatë, postet duhet te ishin rezultat i ndarjes së përgjegjësisë pas një marrëveshjeje në favor të shtetit e jo si kushti themelor i një marrëveshjeje për unitet për manaxhim të krizës. Isa Mustafa e nisi mirë duke thënë se as që i intereson «kush bëhet president e kush …». Qeveria Hoti në vepër mirëpo nuk navigon drejt një administrate gjithëpërfshirëse por ka per synim sigurimin e partnerit te preferuar që do t'i garantonte qëndrueshmëri atij edhe pas "shtensionimit" të krizës. Ai flirton me PDK-në. Qëllimi i tij është që pas lirimit eventual me kusht të primatëve të UÇK-së dhe reduktimit të presionit publik t’i agojë dita me një qeveri stabile deri në afatin e ardhshëm të zgjedhjeve. 
 
UTERUSI I KRIZËS
Thamë se kriza nuk e ka burimin tek statusi [i]legal, [i]legjitim i Qeverisë aktuale por është i jashtëm. Kriza vjen nga ofensiva serbe, në kurthin e së cilës rranë perëndimorët dhe shqiptarët. Ajo vjen nga një plan që nga observuesit neutral [do të] përshkruhet kështu: «kriza vjen nga strategjia serbe për të thyer legjitimietin e ekzistencës së shtetit të Kosovës, ngase ai është i ngritur mbi një lajthitje me paramendim të opinionit ndërkombëtar, që ky të sulmojë shtetin serb. Autor të provokimeve ishin «grupet kriminele» shqiptare të organizuara nën firmën UÇK, të cilat sot, më në fund gjenden para gjykatave të huaja. Me dënimin e tyre do të ndreqet padrejtësia: Ndërkombëtarët do të lajnë borxhin ndaj Serbisë, do të korrigjojnë padrejtësinë e tyre, ndërkaq serbët do të kërkojnë falje për reagimin kurthërënës të shtetit të tyre atëherë duke u përgjigjur me dhunë ndaj civilëve. Nga ky stad pastaj do të krijohen mundësitë shpresëdhënëse për një kompromis të përhershëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve».
Një kompromis pa pasur bazë shtetin e pavarur të Kosovës.
Serbia nuk do t’ia dalë me këtë strategji, ngase Trump iku nga pushteti (ai që nëpërmjet ekonomisë pranoi të kthej Serbinë në Kosovë pa pritur Gjykatën) dhe tashmë ka nisur kthjellja e atyre që iniciuan Gjykatën mbi «sagën me shtëpinë e verdhë». Shumëkush nga ata që janë jashtë orbitës së interesit serb, rus dhe turk pyetja se ku mbeti (sh.v.) i ka zgjuar nga transi dhe mashtrimi që ua bënë agjenturat me ndihmën e një ushtrie «dëshmitarësh», të aranzhuar. Të «shokuarit» (ndër gjermanët, britanikët, amerikanët, francezët e italianët) mirëpo nuk e kanë asnjë interes të bëhen heronjtë e fundit ballkanik, kështu duke kushtëzuar angazhimin në kuadër të veprimit të shtetit të Kosovës. E ky udhëhiqet nga grupe që luftojnë për ta vënë nën kontroll e jo ta shpëtojnë atë - shtetin e Kosovës!
 
OPINION
Kriza nuk është produkt i retorikës dhe boksave të ca eksponentëve nervoz që frikohen se së shpejti do të humbin pozitën. E as e atyre që gati sa nuk festojnë duke besuar se u rikthye shansi për të marrë sërish pushtetin. Ajo përdoret nga këta me shpresën se duke e banalizuar atë, njerëzit nuk do ta kuptojnë rrezikun se ku gjendet shteti i tyre dhe këta do të vazhdojnë në pushtet, qoftë edhe si guvernatorë të Serbisë në ish-shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës. Partitë politike kosovare duhet ta lexojnë mirë situatën se ku gjendet vendi i tyre. Siç duket ato ende nuk e kanë kuptuar si është puna. Po ta dinte për shembull PDK se ç’rrezikohet (supozojmë se nuk e di) nuk do të bënte kusht postin e kryeministrit si partia e tretë e dalë nga zgjedhjet. Përkundrazi ajo po të bazonte veprimet e saja në analiza që për bosht kanë shtetin dhe njerëzit e saj do të kishte lutur për të hyrë në koalicion pa asnjë kusht. Do të ishte në të mirën e saj. Kush do t’iu prijë zgjedhjeve, cila figurë do të kandidonte për postin e kryeministrit? Zonja Besa Ismaili apo poli i saj i kundërt gjinor Uran Ismaili? Hë për hë PDK nuk e ka asnjë figurë të ndërtuar aq sa për të zëvendësuar Veselin e lere më Thaçin. Madje kjo do bënte mirë që për të mbajtur në kompozicion AAK- të pranonte kërkesën e saj për postin e presidentit. LVV natyrisht se do dal më e pakënaqura nga ky kombinim, sidomos pasi është edhe fituese legjitime e zgjedhjeve të fundit. Përveç kësaj ajo - siç u potencua lartë - del e vetmja ta ketë analizuar situatën si duhet. Për shkak të dështimit mirëpo për ta ruajtur pushtetin dhe acarimit me gjitha partitë tjera të Kosovës, ajo e di se i duhet disa vite kohë për t’u bërë gati për pushtet, natyrisht pa këtë nomenklaturë që disponon aktualisht dhe me qëndrime të qarta dhe më konsistente politike se ç’ka ofruar deri tash. Zgjedhjet në këto kushte janë absurde; si për shkak të  situatës politike ashtu edhe për shkak të pandemisë.