​Osmani: Unifikimi i alfabetit, unifikoi popullin shqiptar

​Osmani: Unifikimi i alfabetit, unifikoi popullin shqiptar

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës Vjosa Osmani ka deklaruar se Kongresi i Alfabetit shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se Kongresi i Alfabetit shqip u shndërrua në njërën nga ngjarjet më të rëndësishme politike.

“Duke e unifikuar alfabetin, delegatët e tij e unifikuan popullin shqiptar rreth një identiteti të përbashkët dhe e riorientuan atë përfundimisht drejt kulturës e qytetërimit perëndimor, pjesë e të cilit qemë prej shekujsh. Sot i përulemi vizionit të delegatëve të Kongresit. Vepra e tyre për bashkimin e shqiptarëve rreth vlerave të identitetit dhe qytetërimit perëndimor duhet të jetë udhërrëfyes i përhershëm për ne”, ka shkruar Osmani.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908 dhe morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.


MË SHUME NGA Aktuale