​Hoti: Kongresi i Alfabetit unifikoi përgjithmonë shkronjën shqipe

​Hoti: Kongresi i Alfabetit unifikoi përgjithmonë shkronjën shqipe

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka deklaruar se Kongresi i Alfabetit shqip unifikoi përgjithmonë shkronjën shqipe, duke e jetësuar ëndrrën e kahmotshme të brezave për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se 22 Nëntori - Dita e Alfabetit shqip, është një ndër datat më të rëndësishme të historisë së kombit tonë.

“Kongresi i Manastirit i vitit 1908, me Fishtën, Mjedën, Zavalanin, Qiriazin e intelektualë të tjerë të shquar të kohës, unifikoi përgjithmonë shkronjën shqipe, duke e jetësuar ëndrrën e kahmotshme të brezave për një alfabet të njësuar të gjuhës shqipe”, ka shkruar Hoti.

Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908 dhe morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.

Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.


MË SHUME NGA Aktuale