Diktati i BE-së dhe pafuqia e fukarenjve

Diktati i BE-së dhe pafuqia e fukarenjve

Xhemal AHMETI

 

 

BE ka politikat e saja, shqiptarët të tyret. Kosova thotë se nuk do ta diskutojë punën e asociacionit të komunave, Brukseli thotë si jo, edhe kushtetutën do ta ndryshosh, pasi ke nënshkruar. Kush do të fitojë në fund? Apo duhet Strasburgu të vendos pas një procesi të gjatë pasi të gjykonte BE-në, Serbinë dhe Kosovën për presion, intrigim dhe shkelje serike të kompetencave të ligjeve të ndryshme ndërkombëtare?

PROBLEMI – Nëse nisemi nga retorika, veprimet dhe sjelljet e shteteve shqiptare konstatojmë se ato nuk njohin as minimal historinë, dokumentet dhe praktikat e BE-së. Ose i kanë lexuar ato e nuk i kanë kuptuar. Ose nuk i lexojnë ngase besojnë si euroturbot iluzionarë, të cilët shpresojnë në kapitullimin e shtetit nacional që nesër. [Kategorisë të së fundit i përkasin edhe të ashtuquajturit ekspertë të BE-së brenda shoqërive civile]. 

Si pasqyrë ku më së bukuri lexohet kjo sjellje na shërben retorika, veprimet dhe diktatet e BE-së rreth vizave, Asociacionit të Komunave Serbe dhe në mbarë komunikimin e burokratëve të Brukselit me shtetet shqiptare. 

Para se të përhumbemi reflektimeve dhe të prodhojmë teza pa mbulesë as ligjore e as logjike siç janë shumica e qëndrimeve të BE-së ndaj shqiptarëve le t’ia nisim me një katalog pyetjesh dhe përgjigjesh: 

 

 

PYETJE DHE PËRGJIGJE – Pyetjet i shënojmë me D [dilema] dhe përgjigjet me [F] si fakti. Terminologjia e shkurtesave merret nga versioni [studiuar nga autori në kuadër të shkollimit] gjermanisht i dokumenteve.

 

[D] Cilat janë kompetencat konkrete obligative të BE-së?

[F] Përkundër gjitha revizioneve dhe «skicës për kushtetutë të BE» organizata vazhdon të funksionojë pa statusin e personit të plotë juridik. Deri në kontratën e Lisbonës (2009) ajo as këtë «katalogun [aktual] të kompetencave», nuk e kishte, me të cilin ndahen veprimet e anëtarëve të saja në obligative [Art. 2 AEU] dhe sugjeruese [Art. 3 bis Art. 6 AEU]. Si obligative në këtë kontekst konsiderohen paktet në fushën e doganave dhe ekonominë e tregut. Si sugjeruese [mbështetëse por jo përcaktuese] vlejnë fushat si tregu i brendshëm, politika agrare, ajo e komunikacionit, ekologjisë, mbrojtja nga katastrofat energjia [Art. 4 AEUV]. Pas shpërthimit të terrorizmit global u formulua edhe politika e mbrojtjes së përbashkët [GSVP = Art. 42 (ex-Artikel 17 EUV) bis Art. 46 EUV]. Bashkëveprimi i shteteve të caktuara bëhet pas një vendimi të veçantë të Këshillit të Sigurisë [Ministrat e mbrojtjes të shteteve të veçanta] pa prekur kompetencat e anëtarëve [sovranitetin] e as kontratat e tyre me NATO. 

 

[D] Pse BE sillet komplet ndryshe ndaj anëtarëve të saja si Hungaria e ndryshe ndaj Kroacisë? Ose pse ajo detyron kandidatët në veprime, të cilat nuk rezultojnë nga asnjëri prej dokumenteve dhe pakteve themeluese të saj si ai Brukselit (1948, Parisit (51-52), Romës (57-58) ai i fuzionit (65-67) Mastrihut (92-93), Amsterdamit (97-99), Nicës (2001-03), Lisbonës (07-09)? 

[F] Sepse e drejta e BE-së karshi anëtarëve të saja nuk gjenerohet nga ndonjë «Kushtetutë» detyruese, por ekskluzivisht nga kontratat që lidh me çdonjërin shtet veçeveç. Në rastin e Kroacisë [L 112, 24.04.2012] pati diskutime të mëdha rreth tendencës së BE-së për të degjeneruar të drejtën e kombeve në mënyrë selektive, ngase Kroacisë i bënte kushte, të cilat BE nuk i ka as në «katalogun e kompetencave» e as në «dokumentet e saja normative». Kroacia - për shkak të presionit të Italisë dhe tjerëve dhe për shkak të këmbënguljes kroate të mos shndërrohet në precedent e selektivitetit - shpëtoi vetëm duke e detyruar veten me kuotat rreth peshkimit, ekologjisë politikës agrare … [A III, Art. 8,15 +] dhe nuk u dorëzua për më tepër. 

BE nuk mund t’i detyrojë (dhe kur e bënë këtë shkel kompetencat e veta dhe Ligjet Ndërkombëtare rreth të së së Drejtës së Popujve dhe Kombeve) në diçka shtetet tashmë të bëra anëtare në bazë të «Marrëveshjes së Lisbonës» veçanërisht sa i përket kushtetutave të tyre, aspektin e tyre bilateral, ushtarak [shumica në NATO]. Megjithatë ajo mund të kërkojë përgjegjësi nga ato në rastin se shkelin të ashtuquajturat pakte normative. 

 

[D] Çka konsiderohet si «marrëveshje normative»?

[F] Si e tillë konsiderohet  «Minimum standards for minorities in the EU», [EU (2018/2036(INI)], e cila bazuar në nenet 2 dhe 3 të «Marrëveshjes së Lisbonës» obligon të plotësojnë kushtet minimale për pakicat. 

 

[D] A mund të bazohet kërkesa e implementimit të krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në një dokument të këtillë normativ?

[F]  Jo nuk mundet. Ngase të drejtat e serbëve në Kosovë janë precedent selektiv [që nga Kushtetuta e At'hisarit]. Përndryshe shtetet anëtare si Rumania, Austria, Spanja, Kroacia dhe plotë tjera do të detyroheshin t’u japin të njëjta të drejta pakicave të tyre si në Transilvani, Tirol, Sllavoni e gjetiu. Për shtetet kandidate kjo do të thoshte që Serbia, Turqia, Maqedonia t’u lejojnë pakicave të tyre të njëjtën. Prandaj edhe formulimi «Minimum standards for minorities in the EU», ngase aty kërkohet të respektohetn të drejtat dhe Liritë e Njeriut [Sipas Kartës së OKB] dhe jo më shumë. Në rastin e Asociacionit të Komunave, me marrëveshjen e nënshkruar Serbia, BE dhe Qeveria Kosovare kanë bërë shkelje të shumëfishtë. BE ka tejkaluar kompetencat e veta ligjore, duke shkelur me intriga kushtetutën e një shteti sovran në favor [në bashkëpunim] të një tjetri dhe nënshkruesit shqiptarë të Marrëveshjes kanë shkelur nën presion të BE-së kushtetutën e tyre. 

 

[D] Nëse BE nuk ka bazë ligjore e as kompetencash [nga katalogu, i cili nuk u respektua në rastin e dhënies së vizave, duke u shkelur ligjërisht] nga ku atëherë politika e presionit ndaj Kosovës?

[F] Ndër ekspertët e shumtë britanik, francezë, gjermanë e italianë të BE-së, presioni do të jetë burim i një taktike [aktualisht ilegale] të administratës së BE-së ndaj të së Drejtës së Kombeve kandidate, nëpërmjet të cilave beson ta çoj centralizimin përpara, deri tek një kushtetutë obligative, e cila juridikisht do ta nxirrte BE-në nga statusi i një Unioni të Shteteve [organizatave] pa fuqi obligative. Administrata, siç e shpaluam më lartë, mirëpo të Drejtën mbi kombet e gjeneron vetëm nga marrëveshjet direkte me to. Dmth: nëse Kosova i jep autoritetin mbi ushtrinë apo pakicat është problem i saj dhe BE-së por nuk përbën asnjë shembull apo obligim për tjerët. Arsyeja se pse ekspertët e konsiderojnë këtë iluzion dhe intrigë të administratës së BE-së qëndron tek fakti se jo-anëtarët e BE as gjithë bashkë (po hyri edhe Rusia, Turqia, Andorra, Zvicra…) përbëjnë shifrën 15 e ata të pranuarit tashmë 27, një shumicë absolute, e cila asnjëherë nuk do të viktimizonte sovranitetin e vetë siç kërkohet nga kandidatët. Këto, shtetet anëtarë sipas një projekti hulumtimi të zhvilluar brenda 2002-2006 [Tanja A. Börzel, DFG Projekt], janë shkelësit më dramatik të normave të obligimeve të BE-së. Jo për shkak të kushtetutave të tyre, por për shkak të statusit ligjor të BE-së, i cili ka funksionin real më shumë të «Unioni shoqatash» autonome.

 

ANALIZA – Sipas kësaj gjendjeje faktike secili shtet në veçanti ka më shumë kompetenca se sa BE. Prandaj janë të mundshme vetot bullgare, greke, sllovake e të ngjashme. Ato munden të bëjnë diktate, pavarësisht faktit se a janë të obliguara ta respektojnë edhe vetë atë që imponojnë apo jo. Kosova nuk ka as viza e lere më ndonjë kontratë bazë me BE-në. Ajo nuk është e obliguar në asgjësend ligjërisht. Më hiç në diçka që bie ndesh me kushtetutën e saj. Pse atëherë «servilizmi». Sepse të vetmet kompetenca presioni dhe ushtrimi të fuqisë selektive BE ka tregun, ekonominë kontinentale, e cila priret nga shtetet e para, themeluese të saja, industriale. Shtetet e varfra që presin në radhë në krahasim me ato brenda, duhet të shesin sovranitetin e tyre, secila sipas vlerës - dikush gjithçka e dikush më pak, nëse duan të përfitojnë nga tregu.

Donë të thotë kjo se shtetet e varfra si Shqipëria e Kosovë as që paskan opsion tjetër mbijetimi?

Për këtë arsye këtë analizë e nisëm me konstatimin se shtetet kandidate dhe ato shqiptare nuk njohin organizatën aq nevojshëm sa për të nënshkruar marrëveshje me atë. Po a ka ndonjë fuqi Kosova apo Shqipëria që të mos humbin sovranitetin dhe mos të përfundojnë në kolaps ekonomik, mos izolohen dhe mos përfundojnë në rajone me kontrata për peshkim, bioprodukte dhe turizëm pa asnjë kompetencë reale sovrane? Po kanë, plotë, nëse ato mësojnë historinë e BE-së, lexojnë dokumentet e e saja dhe respektojnë kushtetutat e veta, bazohen në të Drejtën Ndërkombëtare, Dokumentet Evropiane (BE-së) dhe bëjnë një strategji (politike) që mund të ndihmonte edhe BE-në në prosperitet dhe pa qasjet e saja selektive. I kanë resurset për t'i bërë këto? Nëse nuk i kanë duhet t'i blejnë ose le të humbin sovranitetet në favor të sovranëve përreth.