Muzeu Dioqezan në Shkodër, vlerë e identitetit fetar

Muzeu Dioqezan në Shkodër, vlerë e identitetit fetar

Muzeu Dioqezan në Shkodër është një institucion tepër i rëndësishëm fetar dhe jo vetëm, i hapur që në vitin 2016. Ky muze është hapur nga nevoja e madhe për të mbledhur, ruajtur dhe për ta bërë trashëgiminë fetare të krishterë të vendit sa më të disponueshme dhe të aksesueshme.

Veçanërisht për zonën e Shkodrës feja e krishtere ndër shekuj ka qenë një identitet dhe kulturë të cilat së bashku kanë ndikuar shumë në zhvillimin dhe qytetërimin e zonës.

Në këtë pjesë veriore të Shqipërisë feja i ka rrënjët në vetë zanafillën e Krishtërimit të epokës apostolike.

Këtë projekt e ka iniciuar me vullnetin e tij Imzot Angelo Massafra dhe ku misioni kryesor i këtij muzeu është ruajtja e vlerave materiale dhe jo materiale që i përkasin identitetit fetar të zonës.

Në këtë muze janë të ekspozuara vepra arti, sende kishtare, sende përdorimi dhe devocioni personal, fragmente dhe dokumente, dëshmi etj të cilat ofrohen si një dëshmi të fortë që koha i lë si një shenjë njerëzimit.

Ky muze është një atraksion i jashtëzakonshëm dhe përveç qytetarëve dhe besimtarëve është vizituar nga një numër shumë i madh i personaliteteve të vendit tonë por edhe nga vizitorë të huaj./atsh 


MË SHUME NGA Kulturë