Vendosja e vulës së Rugovës, veprim anti-kushtetues i Osmanit
Ani pse ka kohë që është përjashtuar nga pozitat e saj që mbante në LDK, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ende po tenton që të përfitojë nga vula e liderit historik të kësaj partie duke i vendosur ato në presidencë. Por e gjithë kjo, po konsiderohet si anti-kushtetuese.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani për përfitime populiste e ka kthyer vulën e ish-presidentit Ibrahim Rugova në Presidencë.
Sidoqoftë, nuk ekziston asnjë vendim zyrtar apo rregullim ligjor lidhur me stemën në Presidencë, si dhe nuk ka një procesverbal që tregon se si është vendosur që ajo të jetë stemë e presidentit.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mënyra e përdorimit të flamurit dhe simboleve të tjera shtetërore, rregullohet me ligj, raporton Gazeta Metro.
Po ashtu, edhe mënyra e përdorimit të simboleve kombëtare, rregullohet me ligj.
“Neni 6 [Simbolet] 1. Flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj. 2. Pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj.]”, thuhet në Kushtetutë.

Osmani me këtë veprim, ka përdorur stemën e ish-presidentit Ibrahim Rugova në dokumente shtetërore, pa kurrfarë baze ligjore dhe pa ndonjë vendim zyrtar, me ç’rast, është anti-kushtetues.
Kujtojmë edhe një herë se Osmani përdori sot këtë stemë në shpërndarjen e dekorimit, postmortem, me Medaljen Presidenciale të Meritave, për punonjësit shëndetësorë që vdiqën gjatë pandemisë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi kishte larguar vulën dardane nga dokumentet e presidencës, me të marrë pozitën e kryetarit të shtetit.























