I jepet lamtumira Diego Armando Maradonës

I jepet lamtumira Diego Armando Maradonës

Qindra mijëra argjentinas kanë bërë homazhe pranë arkivolit që mbante trupin e pajetë të Diego Armando Maradonës. Ceremonia po mbahet në pallatin presidencial.

Që prej orëve të para të mëngjesit mijëra qytetarë u grumbulluan për të bërë nderimet e fundit idhullit të tyre. Grumbullimi masiv u menaxhua me vështirësi nga forcat e policisë dhe ato kundër protestave. Pati momente të cilat u kthyen realisht në protestë pasi të shumtë ishin ata që kërkonin të futeshin në ambientet ku po mbahej ceremonia e homazheve.

Perëndia e futbollit, siç e quanin ndryshe argjentinasit adhurohej jo vetëm brenda kufijve të atdheut të tij. Ai pati një karrierë të gjatë që kulmin e pati me fitoren e kupës së botës në 1986. Një lavdi që u arrit me meritë, spektakël dredhi dhe shumë emocione. Në vitet e fundit Maradona kishte shumë probleme shëndetësore si pasojë e varësive të tij, të trashëguara nga koha kur ishte futbollisti më i mirë në botë.

Dy javë më parë ai u shtrua në spital pasi u diagnostikua me anemi dhe dehidratim. Iu nënshtrua një operacioni të vështirë dhe delikat në tru për shkak të një hematome.

Megjithëse në karakter dhe mentalitet ai ishte gjithnjë energjik, fiziku i tij prej vitesh nuk i përgjigjej. Shtimi i peshës për shkak të abuzimeve ndikoi jo pak në shëndetin e tij.