Viti 2020 – brishtësia e njerëzimit
BKT
   Analiza & Opinione

Viti 2020 – brishtësia e njerëzimit

Shkruan: Ballsor Hoxha

Vetëm në vitin 2019, sa të papërsëritshme na janë dukur shprehjet si ‘gripi spanjoll’; ‘kolera’; ‘murtaja’ etj.

Vetëm në vitin 2019, para 2020, sa të pamohueshëm na dukeshin heronjtë tanë kosovar në luftën tonë për liri.

Në një vit, ende pa u pas kryer mirë, bota si një film horrori kaloi në makthin më të tmerrshëm, në të dy këto perspektiva.

I

Viti 2020 – mbi 1.5 milion të vdekur nga virusi COVID 19. Mirëpo, a është ky fundi (me supozimin e gjetjes së vaksinës)? Apo vetëm këtu fillon, tani, kaosi dhe ankthi global për siguri, mirëqenie, ardhmëri. A fillon këtu ankthi i besimit në institucione, në shtetet tona, në udhëheqësitë tona dhe në lidershipet tona. Apo qoftë edhe në rendet dhe organizimet tona.

Apo ndoshta duhet të pyetemi, a fillon këtu, tani, një kuptim i ri? Një hapje e pafundme e kuptimit? A nuk është të besuarit në teori konspiracioni, në paranoja, në makthe, vetë hapja e kuptimit. Hapje deri në zhvleftësim të fqinjit e të shtetit e të ardhmërisë.

Apo ndoshta duhet të pyetemi, si erdhëm këtu? Si dështoi, jo vetëm organizimi ynë i brishtë dhe i ri në veprim, por ai global në tërësinë e tij? Si lindi ky virus? Apo si nuk e kuptojmë afërsinë globale të njërit me tjetrin, Kinës me Brazilin, Shqiptarëve me Kolumbianët (p.sh.)? Dhe pikërisht kjo afërsi duke qenë shkaktari kryesor i këtij vargu të viruseve deri në COVID 19.

Apo ndoshta jemi aq afër njëri tjetrit tanimë sa që më nuk mund të shohim dallimin, jo atë politik dhe pushtetar, por atë njerëzor dhe të të mbijetuarit, të të rrezikuarve si na. Jemi aq afër dhe aq të atashuar në njëri tjetrin nga shtytja për mbijetesë, si në Liban e ndër shqiptarë, sa që nuk shohim rrezikun e një bote siç e kemi jetuar, një bote si ajo para COVID 19.

II

Kosova pësoi më të keqen. Përnjëherë heronjtë e saj u ulën, janë të ulur, në bankat e të akuzuarve. Presidenti i Republikës së Pavarur të Kosovës është i akuzuar nga një Gjyq Special për krime lufte. Si mund të kolapsoj një shoqëri më ndryshe? Si mund të kolapsoj një shtet më ndryshe.

Por çka po ndodh në ne, brenda nesh, në vendin tonë? Po përgatitemi për zgjedhje të reja. Po flasim, debatojmë e kundërshtojmë zgjedhje të reja.

Ne jemi të automatizuar në politikë, në veprim politik, aq sa që nuk mund të bëjmë dallimin midis kolapsit shoqëror dhe kolapsit të një posti shtetëror, në fund të fundit. Shndërrimi i - emrit të lirisë - në emër të “krimit të luftës” na shndërroi në kriminel lufte, në shoqëri kriminele dhe kaluam nga martirë të një lufte të përgjakshme në kriminel. Me gjithë debatin, me gjithë fjalamaninë, dhe me gjithë frustrimin, kjo nuk po krijon asnjë peshë në vetëdijesimin tonë.

Vetëdijesimi ynë është problemi ynë. Të mos mundurit të perceptojmë ndryshueshmërinë e raportit shqiptar me botën, në tërësi, dhe sidomos ndaj atyre që nuk na duan.

Vetëdijesimi ynë se nuk jemi qendra e botës, se nuk e kemi shpikur politikën e korrupsionin, se nuk jemi engjëj por dhe as tërësisht djaj, etj, janë aty ku duhet të filloj vetëdijesimi ynë.

Një vit që kurrë nuk do të harrohet, në njerëzim, e posaçërisht tek ne. Por që në vend të vetëdijesimit, do të prodhoj edhe më shumë konflikte, në obsesionimin e njeriut të sotshëm me veten e tij. Asgjë nuk na ka mësuar COVID 19 derisa nuk do të fillojë të jetë e prekshme brishtësia e ardhmërisë sonë si njerëzim e si shoqëri shqiptare.