Të premten nis aplikimi për tërheqjen e 10% nga Trusti
BKT
Lajme

Të premten nis aplikimi për tërheqjen e 10% nga Trusti

Kryeministri Avdullah Hoti, ka takuar sot përfaqësuesit e BQK-së dhe të Trustit.

Pas takimit kreu i Qeverisë ka thënë se nga e premtja në orën 15:00 do të fillojë aplikimi për tërheqjen e 10% nga Trusti.

Ai ka thënë se të gjitha përgatitje teknike janë bërë në këtë drejtim dhe se tërheqja e mjeteve do të bëhet në afat optimal.

"Ligji ka dal në Gazetën Zyrtare dhe ligjërisht këto institucione veçse mund të fillojnë punën siç parashikohet në ligj. Të gjitha përgatitjet janë bërë dhe janë ndarë informacionet në mes të këtyre dy institucioneve. Është pagatitur sistemi, është hapur ueb faqja dhe të premten në orën 15:00 hapet sistemi për qytetarët për të aplikuar për tërheqjen e këtyre kursimeve”, ka thënë kryeministri Hoti.

Ai ka falënderouar Trustin dhe BQK-në për kryerjen e procedurave teknike, që shumë shpejt të fillojnë procedurat për tërheqjen e këtyre fondeve, derisa ka shprehur besimin se gjithçka do të shkojë pa telashe.

"Besoj që sistemi në bazë të përgatitjeve është plotësisht i sigurt dhe është i pagatitur që ta përballojë fluksin e qytetarëve për t'i tërhequr mjetet”, ka thënë më tutje kryeministri.

Kryesuesi i Bordit Drejtues të Trustit, Ruzhdi Morina tha se janë duke punuar 24 orë në përgatitjen e fillimit të aplikimit për tërheqjen e mjeteve nga qytetarët.

Ai tha se për të aplikuar qytetarët do të duhet të japin vetëm numrin personal dhe atë llogarisë bankare.

“Aplikimi do të  jetë shumë i thjeshtë; llogaria bankare dhe numri personal. Presim që shumë shpejtë të bëhen pagesat. Për aplikimet e para presim që pagesat të bëhet para fundvitit”, tha ai.

Kurse zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli, tha se është nënshkruar marrëveshje për shkëmbim të të dhënave për 700 mijë persona.

“Kemi nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit për shkëmbim të informacionit për të dhënat e informacionit për 700 mijë persona, gjë e cila do ta lehtësojë sistemin e aplikimit”, ka theksuar Havolli.


MË SHUME NGA Lajme