Hoxhaj: Deklaratat e Albright i bëjnë nder Kosovës dhe të ardhmes së saj
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka falënderuar ish sekretaren e SHBA-së, Madeleine Albright, për mvështetjen e pandërprerë që i jep Kosovës në vazhdimësi.
Hoxhaj ka vlerësuar lart qëndrimin e fundit të diplomates amerikane e cila bashkë me kongresmenin Eliot Engel i kanë kërkuar presidentit të ri të SHBA, Joe Biden, të vazhdojë thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA dhe të ndikojnë që Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.
Deklarata e plotë e kryetarit në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhaj:
Ish sekretarja e SHBA-ve, një ndër gratë më të guximshme dhe politikanet më të dashura për ne, Madeleine Albright, edhe sot, sikur gjatë gjithë jetës së saj, i doli në mbështetje Republikës së Kosovës dhe të drejtës historike. Në fjalimin e saj në Komitetin e Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuese, duke folur për politikat për Ballkanin, Albright përsëriti faktin që Serbia ka kryer krime në Kosovë dhe Bosnje. Ndërkaq, duke e njohur Kosovën si shtet me të gjitha kapacitetet e saj, ajo dërgoi një mesazh të qartë për botën demokratike në përgjithësi, dhe Serbinë në veçanti. Deklarata e saj sot se Kosova duhet të jetë një vend normal si pjesë e sistemit ndërkombëtar dhe në asnjë formë subjekt i vetos nga Beogradi, i bën nder edhe një herë Kosovës dhe të ardhmes së saj. Kosova, populli i Kosovës, është me fat që gjithmonë në anën e saj ka pasur sekretaren Albright dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ruajtës të paqes dhe të drejtës në botë. Faleminderit mikja jonë e çmuar!























