Gjermania i jep Kosovës 72.1milionë €, prej tyre 34 milionë € janë grante
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde kanë nënshkruar shkëmbimin e protokollit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë
Bajrami me këtë rast ka thënë se fal kësaj marrëveshje Gjermania i jep Kosovës 72.1 milionë euro, prej të cilave 34 milionë euro janë grant.
“Falënderojmë të gjithë taksapaguesit gjerman për kontributin që japin për Kosovën. Ndihmat e dhëna tash e 22 vite kapin shifrën e 730 milionë eurove, e ku shumë institucione kanë ngritur kapacitetet falë ndihmës nga Gjermania. Sot e nënshkruam marrëveshjen kornizë të bashkëpunimit ekonomik, e cila kap shifrën prej 72.1 milionë euro ndihmë për periudhën 2020-2021. Prej këtyre mjeteve 34 milionë janë grante nëpër institucione të ndryshme, të cilat më të vërtetë do ta përmirësojnë kualitetin e jetës së qytetarëve në mënyrë substanciale”, ka theksuar ministrja Bajrami.
Ministrja më pas ka bërë të ditura projektet të cilat do të financohen nga këto grante: Ndërtimi i kolektorëve për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë në shumë prej 15,4 milionë euro; Trajtimi i mbeturinave për Prishtinën dhe 6 komunat tjera në shumë prej 7 milionë euro; Mbështetja për arsimin profesional në shumë prej 4.2 milionë euro; Mbështetja për stabilizim të tregut të punës në shumë prej 3 milionë euro; si dhe mbështetja në procesin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në shumë prej 2.8 milionë euro.
Ndërkohë, projektet të cilat do të marrin 37.5 milionë euro kredi afatgjate me norma të interesit të subvencionuara nga Qeveria gjermane janë si vijon; Termokosi për ngrohjen e më shumë qytetarëve të Prishtinës nga panelët solarë, projekt që do të financohet me 24 milionë euro dhe zhvillimi i mëtutjeshëm i KOST-it me 13.5 milionë euro.
“Zotohemi para jush si institucione se do t’u dalim në ballë obligimeve tona që i kemi marrë për bashkëfinancim në këto projekte, në mënyrë që ato të ecin sa më shpejtë përpara. Ju faleminderit për ndihmën që keni dhënë deri tash dhe për zotimet e juaja për mbështetjen në vitet e ardhshme”, ka thënë ministrja Bajrami para ambasadorit gjerman.
Kurse ambasadori Rohde u shpreh se shteti që përfaqëson do të vazhdojë të jetë krahë Kosovës në çdo projekt.
“Gjermania është donatori më i madh bilateral dhe investitori i huaj më i madh në Kosovë. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj të reformave që e bëjnë atë të përshtatshme për një të ardhme në Bashkimin Evropian. Do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në Kosovë, ku fokusohemi në mbështetjen e arsimit profesional dhe zhvillimit të bizneseve. Gjermania po ashtu do të vazhdojë me investime domethënëse në infrastrukturën publike në Kosovë, duke u fokusuar në energji, kanalizim, dhe trajtimin e mbeturinave”, ka theksuar ambasadori gjerman.























