Angazhimi i ish-prokurorëve në EULEX, zbehet kredibiliteti i Speciales
Sa i përket intervistës së avokatit Sommer, lidhur me GJS në Hagë, ku po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, se për çfarë po akuzohen, ka dëshmuar seanca e djeshme në Kuvendin e Republikës ë Kosovës, ku qartazi është dëshmuar gjendja faktike e kohës së luftës në Kosovë, ku aparati shtetëror i Serbisë ka ushtruar krim gjenocidal mbi popullatën shqiptare këtu.
Kështu deklaroi Ehat Miftaraj, përfaqësues i IKD-së në emisionin “Studio e hapur”, në RTK.
Lidhur me angazhimin e prokurorëve dhe gjykatësve në GjS, Miftaraj theksoi se kjo gjykatë nuk do të duhej të angazhonte si pjesëtarë të këtij institucioni ata persona që kanë qenë të nagazhuar, qoftë në UNMIK, qoftë në EULEX, sepse pothuaj të gjithë ata ishin përfshirë në skandale në fushën e drejtësisë, ngase kështu zbeh dukshëm kredibilitetin e GjS.
“Ndërkaq, siç e ka potencuar me të drejtë avokati gjerman, të jesh prokuror në UNMIK apo në EULEX dhe të angazhohesh sërish në GjS, humb paanësinë profesionale në gjykimin e drejtë të rastit në fushën e drejtësisë, prandaj konsideroj se ky ka qenë gabimi i GjS, që u ka ofruar mundësi për t’u angazhuar në këtë gjykatë, ndonëse kur është themeluar GjS kërkesa ka qenë që sa më pak të jenë të përfshirë gjykatës e prokurorë nga stafi ndërkombëtar, të cilët, në një mënyrë apo tjetër, kanë qenë të përfshirë në Kosovë”, deklaroi Miftaraj.
Kurse sa i përket publikimit të aktakuzës së prokurorisë së GjS në gjuhën angleze, MIftaraj deklaroi se kjo dëshmon qartazi se kjo prokurori ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, sepse nuk ka arritur ende që aktakuzën e ngritur ndaj ish-krerëve të UÇK-së ta bëjë në gjuhën zyrtare, gjuhën shqipe.
E, lidhur me deklaratën e avokatit gjerman se GjS është krijuar me trysninë e ushtruar nga BE ndaj përfaqësuesve politikë të Kosovës, duke shtuar se nuk ka çfarë të heq nga deklaratat e tij të mëparshme lidhur me këtë çëhtje, Miftaraj shtoi se GjS ka qenë një dëm kolateral në kurriz të Kosovës për shkak të proceseve politike nga viti 1999-2008, kur edhe u bë pavarësia e saj e deri më sot, kur kërkohet zgjidhje finale mes Kosovës e Serbisë, por që duhet të pajtohemi se tani, GjS është realitet i ri dhe kësaj vetëm ne mund t’i japim zgjidhje, askush tjetër e zgjidhja e vetme është që ne të dëshmojmë para botës se kush ka kryer krime lufte në Kosovë./RTKLive























