“Protesta e Veteranëve”, Qeriqi: E padrejtë që qeveria kërkon dënim
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës, përmes avokatit të saj, po kërkon nga gjykata dënim për rastin e protestës së veteranëve të mbajtur në vitin 2015.
Qeriqi ka thënë se një gjë të tillë e vlerëson si të padrejtë pasi nuk ka asnjë raport se sa ka qenë vlera e dëmit dhe një i tillë nuk është paraqitur as në seancën e sotme që ishte e treta me radhë për këtë rast.
“Qeveria e Kosovës ka pasë kohë që të nxjerrë një raport se sa ka qenë vlera e dëmit aty dhe më pas të vazhdojnë seancat. E kam thënë edhe para gjykatësit të rastit se kjo është një padrejtësi që po na bëhet. Derisa nuk ka raport edhe të thirren seanca të vazhdueshme për neve është e padrejtë dhe kam kërkuar nga gjykatësja që të kërkojë nga avokati, apo qeveria, që ta nxjerrin një raport dhe të dihet se sa është vlera e dëmit. Ne nuk jemi për ta kundërshtuar vendimin, por të maltretohemi kështu po më duket e padrejtë”.
“Kjo është seanca e tretë që po mbahet. Qysh në fillim të seancës gjykatësja thotë se nuk kemi kushte dhe kërkon një raport nga avokati. Avokati thotë se i është drejtuar disa herë qeverisë, por nuk është njoftuar. Tash është caktuar edhe seanca e radhës” tha ai në Info Magazine të Klan Kosovës.
Qeriqi, si organizator i kësaj proteste, ka thënë se ata nuk duan që t’i ikin drejtësisë. Ai ka thënë po ashtu se ata vetëm po kërkojnë një raport për të ditur vlerën e dëmit, derisa ka shtuar se në gjithë këtë proces mund të ketë ndikime politike.
“Dyshoj se ka ndikime politike këtu. Nuk po e shoh të arsyeshme që me gjithë ata ekspertë që i ka qeveria mos të arrijë që pesë vjet të ketë një raport se sa ka qenë vlera e atij dëmi. Avokati arsyetohet se ka bërë disa shkresa, por qeveria s’i ka kthyer përgjigje”.























