Osmani: I kishim dy rrugë për Specialen, ose ta themelonim ne ose OKB-ja
Duke folur për Gjykatën Speciale, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ky trup është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës më 2/3 e votive të deputetëve dhe është bërë pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
“Është rast specifik dhe siç e dini se argumentet themelore që pati sjellë aso kohe qeveria se nëse nuk miratohet Gjykata në këtë formë ajo do të formohet nga OKB dhe duket i dhënë komptenca shtesë UNMIK-ut. Kjo do të nënkuptonte që në ktheheshim para pavarësisë. Dhe ky do të ishte atak ndaj shtetësisë sonë”, ka thënë Osmani në intervistë ekskluzive për RTK-në.
Ajo ka thënë se kur ka nisur procesi i themelimit të Speciales, ka pasur bisedime me partnerët e Kosovës dhe sipas tyre opsioni tjetër ka qenë shumë i rrezikshëm për Kosovën.
“Dështimi themelor ka qenë para marrjes së këtij vendimi, pra vendimit për Gjykatën Speciale, pasi që një sistem i drejtësisë do të merrej me krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë. Një sistem i pavarur dhe jo i ndikuar politikisht”, ka thënë Osmani.
Si dështim në themelimin e Speciales, Osmani e ka përmendur edhe diplomacinë kosovare.
“Këto kanë qenë një sërë dështimesh të instituticioneve të Kosovës dhe kemi mundur të vijmë në situatë që kjo gjykatë të formohet nga OKB-ja, prandaj deputetët e kanë zgjedhur më të mirën. Ka qenë akt i Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Sa i përket ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ud e presidentit ka thënë se deklarimet politike mund t’ju bëjnë dëm atyre.
“Ndihmën më të madhe që do t’ia japim ne atyre është që politika mos të përzihet. E vërteta është që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe krime kundër njerëzimit. Deri më tash s’ka pasur drejtësi për krimet e Serbisë në Kosovë, prandaj duhet të bëjmë përgatitje për paditje e Serbisë”, ka thënë Osmani. /RTKLive/























