Hoxhaj: Halil Kastrati i ka dhënë shembull edhe politikës se si të punohet
U.D i Kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë sot pjesë në përurimin e shtëpisë së të moshuarve në Therandë, e cila është mundësuar nga humanisti, Halil Kastrati dhe shoqata që ai drejton “Jetimat e Ballkanit”.
Hoxhaj me anë të një postimi në Facebook ka thënë se Halil Kastrati, përkundër sfidave që ka pasur për përfundimin e këtij projekti, nuk është dorëzuar asnjëherë, dhe tanimë është realitet një kryevepër arkitektonike, një shtëpi kujdesi që do të shërbejë si strehë për qindra të moshuar.
“Halil Kastrati, me të gjitha veprat e tij, por veçanërisht me këtë projekt të fundit, i ka dhënë shembull të gjithëve, edhe politikës, se si duhet të punohet sinqerisht dhe pandërprerë për nevojat e qytetarëve tanë”, ka shkruar Hoxhaj.
Postimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë dhe nderin e madh që të jem në hapjen e shtëpisë së të moshuaruve në Therandë, të parën të këtij lloji në Kosovë, që miku im, miku i të gjithë shqiptarëve, Halil Kastrati me shoqatën e tij “Jetimat e Ballkanit” kanë punuar shumë këto vite për ta përfunduar.
Jam i lumtur që Halili, përkundër sfidave që pati rrugës, nuk u dorëzua asnjëherë dhe sot të gjithë ne po e shohim në realitet një kryevepër arkitektonike, një shtëpi kujdesi, ku qindra të moshuar do të trajtohen me dashuri dhe kujdes të jashtëzakonshëm.
Halil Kastrati, me të gjitha veprat e tij, por veçanërisht me këtë projekt të fundit, i ka dhënë shembull të gjithëve, edhe politikës, se si duhet të punohet sinqerisht dhe pandërprerë për nevojat e qytetarëve tanë.
Thonë, parajsa fshihet nën kujdesin që ne kemi ndaj të moshuarve, prandaj, Halili me të gjithë ata shqiptarë bamirës, anë e kënd botës që kanë ndihmuar të realizohet ky projekt, padyshim që kanë bërë një vepër e cila do t’i lartësojë ata edhe para Zotit.
Faleminderit Halil për kontributin dhe veçanërisht për shembullin e mirë dhe të jashtëzakonshëm që na ke dhënë të gjithëve gjatë gjithë kësaj kohe!.























