Pogba: Çdo gjë e qartë mes meje dhe United, jap maksimumin për klubin
Deklaratat e Mino Raiolës se Paul Pogba nuk do të rinovojë kontratën me Manchester United, bënë që të vështrojnë zërat e merkatos rreth kampionit të botës, teksa media të ndryshme e lidhin me klube të ndryshme si Real Madrid, Paris Saint Germain apo Juventus.
Megjithatë vetë mesfushori francez ka zgjedhur rrjetet sociale për të dërguar një mesazh për të gjithë fansat e tij dhe ata të “djajve të kuq”, ku garantonte se është maksimalisht i përqendruar te Manchester United dhe se nuk mendon për të ardhmen.
“Kam luftuar gjithmonë dhe do të vrapoj deri në fund për Manchester United, shokët e mi të skuadrës dhe tifozët. Të gjithë ‘bla bla’-të që qarkullojnë nuk janë të rëndësishme. E ardhmja është larg dhe ajo që vlen sot, është që unë jam i përfshirë 1000%. Të bashkuar jemi gjithmonë të fortë. Mes meje dhe klubit të Manchester United çdo gjë ka qenë gjithmonë e qartë dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë”, shkroi francezi para derbit me Manchester City-n.
Mesfushori 27-vjeçar po luan sezonin e tij të 5-të me fanellën e “djajve të kuq”, pasi këta të fundit paguan rreth 110 milionë euro në arkat e Juventusit për ta marrë në verën e 2016-ës.
Megjithatë periudha e gjatë pa trofe dhe mungesa e një skuadre konkurruese në Angli e Europë, ka bërë që Pogba të mërzitet në “Old Trafford” dhe të paralajmërojë largimin, pasi ka refuzuar rinovimin e kontratës që skadon në verën e 2022-shit.























