Ambasadori Isufaj vizitoi selinë e Vatrës
Në kuadër të takimeve me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju-Jork, Ambasadori Frymëzim Isufaj-Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork, në selinë e “Vatrës”, shoqatës më të vjetër shqiptare, zhvilloi një takim me kryetarin e saj, z. Elmi Berisha, dhe me përfaqësues të tjerë të kësaj shoqate.
Me këtë rast, Ambasadori Isufaj tha se ndjehet i nderuar të takojë përfaqësuesit e devotshëm që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ndër dekada.
Duke vlerësuar kontributin e shoqatës dhe të përfaqësuesve shqiptarë në Nju-Jork, z. Isufaj tha:
“Jemi mirënjohës dhe krenarë me diasporën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni zëri më i fuqishëm i Kosovës. Falë punës dhe angazhimit tuaj, çështja e Kosovës është sensibilizuar dhe ka arritur mbështetjen e aleatëve më të rëndësishëm në momentet vendimtare”.
Kryetari i Vatrës, z. Berisha, mirëpriti vizitën e Ambasadorit Isufaj dhe të diplomates Iberhysaj në Vatra-shtëpinë e të gjithë shqiptarëve, duke thënë se kjo nuk është, thjesht, një organizatë, porse një institucion patriotik dhe atdhetar që ka punuar pareshtur për interesat e kombit shqiptar.
Ambasadori Isufaj dhe z. Berisha u akorduan për thellim të bashkëpunimit, me qëllim të mbrojtjes së interesave dhe të përfaqësimit me dinjitet të Republikës së Kosovës.























