"Udhëve"; Ja si kryen masakra serbët në Zhegër
Vetëm pak ditë pasi sulmet e NATO-s kishin filluar në Kosovë, në fshatin Zhegër të Gjilanit kishin zbarkuar disa autobusë me njësi paramilitare të ushtarakëve vullnetarë.
Të njëjtit, të ndihmuar nga disa serbë vendas kanë kryer shumë krime, ndaj popullsisë civile, në një nga fshatrat që shtrihet në lindje të Kosovës e që kufizohet në trekëndëshin kufitar me Serbinë dhe Maqedoninë.
Muhadin Hazirit ia vranë dy prindërit dhe axhën. Gjatë kësaj kohe, Muhadini ndodhej në Zvicër. Por, ai ka mësuar në detaje për mënyrën se si iu vranë prindërit dhe xhaxhai.
Pas arrestimit, banorët e lagjes Haziri, ishin liruar. Prindërit dhe axha i Muhadinit ishin kthyer në shtëpi.
Emisioni Udhëve ka siguruar dëshmi të shumta për vrasjet që kanë ndodhur në Zhegër. Shumë dokumente të ushtrisë së Serbisë flasin mbi fatin tragjik të civilëve që u vranë në fshatin Zhegër.
Në atë kohë i mituri Fitim Haziri, kur kishte parë tmerrin tek shkallët e shtëpisë, ishte futur brenda, për të gjetur një shteg shpëtimi.
Por, derisa Fitim Haziri kishte arritur të braktisej, ishte nëna e Muhadinit, ajo që gjendej brenda shtëpisë.
Por ndonëse në Zhegër janë vrarë 13 persona, hetimet e organeve serbe të sigurisë ishin iniciuar kundër 7 vullnetarëve paramilitarë, dhe për vrasjen e vetëm tre civilëve nga prokurori ushtarak Toger Zdravko Djordjevic. Kështu në Gjyqin Ushtarak me Komandë në Prishtinë ishin iniciuar hetime kundër këtyre të pandehurve:
Vlada Zmajevic, ushtar rezervë, i lindur me 14.03.1969, në Nikshiq, Republika e Malit të Zi, me nënshtetësi të Malit të Zi.
Djuric Zeljka, ushtar rezervë, i lindur me 09.10.1971 në Zrenjanin, me vendqëndrim në Zrenjanin, i martuar, me nënshtetësi Serbe.
Soldat Ratka, ushtar rezervë, i lindur në Kosovë, me vendqëndrim në Titel, komuna Vrbas, me nënshtetësi Serbe.
Kostelnik Goran, ushtar rezervë, i lindur me 18.05.1978 në Vrbas, ushtar invalid i luftës, me kombësi Ukrainas, më nënshtetësi serbe.
Djosanovic Sasha, ushtar rezervë, i lindur me 09.09.1958, në Zrenjanin, me vendqëndrim në Zrenjanin, shofer me profesion, me nënshtetësi serbe.
Ivelic Nikola, ushtar rezervë, i lindur me 09.09.1958 në Vrbas, me vendqëndrim në Vrbas me profesion vozitës, nënshtetësi Serbe.
Novic Damir, ushtar rezervë, i lindur me 14.07.1971 në Mitrovicën e Sremit me vendqëndrim ne Zrenjanin, me nënshtetësi Serbe.
Por, gjykatat në Serbi nuk e dënuan asnjërin nga këta persona që kishin kryer krime të rënda ndaj popullsisë civile në Zhegër të Gjilanit dhe për çka kishte dëshmi të forta për vrasje, plaçkitje dhe masakrime. Vetëm Vlada Zmajevic, është dënuar nga gjykata në Mal të Zi, me faktet të cilat Serbia i kishte mbledhur për të dhe 6 persona të tjerë. Zmajeviq kishte shtetësi malazeze dhe gjykimi ndaj tij kishte ndodhur vetëm pasi ishte pavarësuar Mali i Zi.
Në Mal të Zi, ishte ftuar si dëshmitar edhe Tahir Tahiri. Ai ishte kryetar i nëndegës së LDK-së në Zhegër dhe kryeshef i shtabit të vetëmbrojtjes. Tahiri ishte në shënjestër për t'u ekzekutuar.
Meqë nuk i ranë në gjurmë atij, paramilitarët ia vranë të vëllanë Shyqrinë. Madje, Tahiri thotë se kur e kishin vrarë të vëllanë e tij, kishin menduar se është vrarë Tahiri.
Dy ditë rresht Shyqri Tahiri nuk ishte varrosur. Kufoma përdorej si “karem” që Tahir Tahiri të kthehej në varrim dhe të vritej edhe ai. Por meqë nuk ishte kthyer, të ndjerin e kishte varrosur shërbimi i komunalisë së Gjilanit. Tek pas përfundimit të luftës, i njëjti ishte rivarrosur nga familjarët.
Shumë gjëra, familjarët e civilëve të vrarë i kanë kuptuar tek pasi ka filluar gjykimi në Mal të zi. Këtë e thotë Muhadin Haziri, sipas të cilit, vrasësi i prindërve të tij ishte arrestuar po ato ditë sa kishte kryer krimin edhe në Zhegër dhe ishte mbajtur disa ditë në paraburgim në Prishtinë. Por, ai menjëherë ishte lënë i lirë.
Dokumentet që posedon emisioni Udhëve, faktojnë se Serbia kishte fakte se Zmajevic, si pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave, me datën 29.03.1999, pas orëve të pasdites në fshatin Zhegër, komuna e Gjilanit, me marrëveshje paraprake me të pandehurin Novica, Soldat Ratko, Kostalniko Goran, Sasha Jasanovic dhe Nikolla Ivelic, pjesëtar të Ushtrisë Juogosllave, nga e njëjta njësi të cilën e kishte drejtuar, më qëllim që vetes dhe të tjerëve ti sjell dobi të kundërligjshme pronësore duke përvetësuar pasurinë e huaj të luajtshme ka privuar nga jeta edhe Ukshin Ukshinin dhe gruan e tij Xhevahire Ukshinin.
Kështu, në kërkesën për hetime të gjykatës ushtarake ky grup bëhen përgjegjës se kanë shtënë me armë zjarri automatike në drejtim të Ukshin Ukshinit dhe me atë rast i kanë sjellë plagë vdekjeprurëse në zonën e kokës nga të cilat ai edhe ka vdekur dhe menjëherë duke e therur me thikë në zonën e qafës e ka privuar nga jeta edhe Xhevahire Ukshinin, dhe pas kësaj kanë marrë nga ta: një byzylyk të dorës të femrës, një palë vathë, një varëse e arit e gjatë 2 metra dhe katër kartëmonedha prej 100 DM.
Sipas shënimeve zyrtare serbe, të njëjtën mbrëmje së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Dhiric dhe të pandehurin Novic dhe me qëllim të njëjtë në fshatin Zhegër kanë marrë nga Shyqiri Tahiri një automjet të udhëtarëve “Opel-Askona”, me ngjyrë të kuqe reg.nr.GL-13-94 ku pas kësaj i pandehuri Zmajevic e ther me thikë në pjesën e gjoksit dhe e privon nga jeta Shyqyri Tahirin.
“Me datën 30.03.1999, në orët e mbrëmjes së bashku me të pandehurin Novica dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me ta me qëllim që vetes dhe atij ti sjell dobi të kundërligjshme të pronës duke e mare automjetin “Opel-Askona” hyn në shtëpinë e QazimHazirit në fshatin Zhegër, të armatosur së bashku me Novicin me pushkë automatike, ku edhe e takon gruan e tij Xhemilen dhe vëllain Milazimin dhe kërkojnë nga ta që t’ju dorëzojë të gjitha të hollat dhe bizhuteritë e arit të cilën e posedojnë, që të njëjtën tua dorëzojnë të pandehurve: 3 orë të femrave, një rrip dhe një byzylyk për orë të dorës, pas të cilës i pandehuri Zmajevic nga pushka automatike e njësisë ka shtënë me nga një plumb në stomakun e Milazimit, Qazimit dhe Xhemilës një plumb në kokë dhe një në stomak nga të cilat plagë të gjithë kanë vdekur. Të gjitha gjërat e marra nga i pandehuri Zmajevic i ka mbajtur në automjetin “Opel-Askona” deri me 31.03.1999 kur është privuar nga liria nga Zyrtarët Përgjegjës të Autorizuar dhe iu kanë marrë gjësendet”, thuhet në procesin hetues ndaj tij. Pavarësisht inicimit të hetimeve, asnjë fakt nuk ka mjaftuar që Serbia t’i dënoj këta persona. Muhadin Haziri, shpjegon se si po ky grup kishte sulmuar banorët edhe gjatë kohës sa ata po varrosnin familjarët e vdekur.
As sot, në familjen Haziri nuk e kanë të qartë se si ishin realizuar fotografitë gjatë kohës sa janë kryer krimet. E as kush ishte personi që kishte fotografuar një serb me uniformë në oborrin e tyre, pikërisht kur ishte kryer krimi ndaj familjarëve të tyre.
Megjithatë familjarët besojnë se policia e Gjilanit kishin iniciuar rast, kur ishte kërkuar nga ata mbrojtje gjatë ceremonisë së varrimit.
Familjarët e Muhadin Hazirit por edhe Tahir Tahiri, ishin ftuar për të dëshmuar në Serbi. Por ata nuk kishin pasur sigurinë që të dëshmojnë atje.
Por, edhe Tahir Tahiri edhe Muhadin Haziri kanë dëshmuar për vrasjet në Zhegër ndaj gjykimit të Zmajeviqit.
Vrasjet e familjarëve dhe dajës në Dunav, ishin vetëm një koincidencë.
Por, kjo është deklarata e të dënuarit Vlado Zmajeviq, që kishte dhënë para zyrtarit Përgjegjës Predrag Perovic lidhur me angazhimin e tij vullnetar në ushtrinë e Serbisë.
“Me datën 24.03.1999 jam lajmëruar në kazermë në Zrenjanin si vullnetar (duke marrë parasysh se jam qenë te gruaja ime në Zrenjanin në Rr. Titelske nr. 52) në cilin rast më kanë thënë se do më thërrasin më pas oficerët e UJ dhe përmes telefonit me datën 25.03.199 kur mua së bashku me disa të tjerë vullnetarë na kanë dërguar nëBubanj Potok prej ku na kanë transportuar për në Nish, prej nga të nesërmen me datën 29.03.1999 me autobus jam transportuar në fshatin Zhegër së bashku me vullnetarët e tjerë në pikën 13 ku edhe kemi fjetur. Me datën 30.03.1999 në orët e mëngjesit unë jam lajmëruar si vullnetar që të ruaj 24 gra dhe fëmijë në fshatin Zhegër komuna e Gjilanit të cilët më herët disa ushtarë i kishin rrahur ku edhe ju dukeshin lëndimet në kokë, dhe kur unë jam larguar nga ata nuk e di nëse dikush ka mbetur ti ruaj, prej ku unë jam transportuar te kufiri për në Maqedoni BJR dhe ku kam qëndruar deri me 31.03.1999 kur më kanë thënë se nuk ka nevojë që të qëndroj te kufiri, pastaj jam kthyer në fshatin Zhegër komuna e Gjilanit kur edhe nga ZP të autorizuar në Gjilan më kanë sjellë në hapësirat zyrtare në lidhje me një bisedë informative. Nuk kam diçka tjetër për të shtuar vetëm se deklaratën të cilën e jap më është lexuar me zë dhe e pranoj në tërësi si timen dhe të njëjtën e nënshkruaj”, thuhet në deklaratën krejtësisht formale para prokurorisë ushtarake të Serbisë të bëra nga Vlado Zmajeviq.
Familja Haziri, nuk është e kënaqur as me vendimin e gjykatës në Mal të Zi që Zmajeviqin e dënoi me vetëm 14 vite burg për gjithë ato vrasje.
E Tahir Tahiri, vëllai i Shyqiri Tahirit të vrarë tregon se kishin përgatitur një dosje të tërë për krimet e kryera në Zhegër. Por, as prokuroria e Kosovës, sipas tij nuk kishte bërë asgjë për të zbardhë këtë rast.
Për 13 të vrarë në Zhegër janë shqiptuar vetëm 14 vite burg ndaj një personi. Familjarët, ende kërkojnë drejtësi për krimet që janë bërë ndaj të dashurve të tyre.
Shikojeni videon e mëposhtme të emisionit "Udhëve" ku familjarët e viktimave japin për krimet e kryera nga serbët në Zhegër:























