Shqipëria u kërkon partive në Kosovë të arrijnë marrëveshje për presidentin
BKT
Lajme

Shqipëria u kërkon partive në Kosovë të arrijnë marrëveshje për presidentin

Partitë politike në Kosovë duhet të bashkëpunojnë dhe të arrijnë marrëveshje për të zgjidhur çështjen e presidentit, ka thënë ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Mendoj që ky problem i takon partive politike, të cilat duhet të bëjnë një pakt për të dalë nga kjo situatë e vështirë politike që është, jo vetëm thjesht për zgjedhjen e presidentit, por edhe për problemet më të rëndësishme që ka Kosova sot. Problemi është që u takon partive të hiqen nga qasja që secila ka për kandidatët. Është e rëndësishme të shihet problemi më në thellësi. Të gjendet një kandidaturë konsensuale që të gjithë do të votonin për të”, ka thënë ai për “EkonomiaOnline”.

Kosova aktualisht është me ushtruese detyre të presidentes, pasi Hashim Thaçi u dorëhoq në fillim të nëntorit për të shkuar në Hagë për përballje me Gjykatën Speciale. Partitë në vend ende s’kanë arritur marrëveshje për një emër të ri. Pasi që ushtruesi i detyrës s’mund të ushtrojë këtë detyrë për më gjatë se gjashtë muaj, partitë kanë afat deri në prill për të zgjedhur presidentin e ri ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Pajtim për çështjen e presidentit s’ka as brenda koalicionit qeverisës. Teksa AAK-ja është barrikaduar që president të jetë kryetari i saj, Ramush Haradinaj, nga LDK-ja, si partia kryesore e koalicionit, po kërkohen takime me partitë për t’u gjetur zgjidhja.

Minxhozi ka refuzuar të komentojë nëse në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, por ka shtuar se “duhet të ketë zgjidhje”. Bashkëpunim ai ka kërkuar edhe ndërmjet vendeve fqinje, bashkëpunim ky që sipas tij, duhet të jetë pa paragjykime.


MË SHUME NGA Lajme