Përzgjedhje e improvizuar e 27 figurave intelektuale të Mitrovicës
BKT
   Analiza & Opinione

Përzgjedhje e improvizuar e 27 figurave intelektuale të Mitrovicës

Ditë më parë Drejtoria për Kulturë në komunën e Mitrovicës ka dalë me një projekt ku ka bërë përzgjedhjen e 27 intelektualëve mitrovicas, që kanë lënë gjurmë në historinë e Mitrovicës dhe jo vetëm.

Lidhur me këtë projekt ka pasur reagime të shumta nga intelektualë të ndryshëm mitrovicas.

Përmes rrjetit social FB ka reaguar edhe prof. Fazli Hajrizi, autor i shumë veprave të fushave të ndryshme.

Ja reagimi i tij i plotë në FB:

“Kjo që keni bërë, jep për të kuptuar se kultura në Mitrovicë është atrofizuar. Ti si drejtor dhe udhëheqësit tjerë të Drejtorisë së Kulturës dëshmuat edhe një herë se jeni të papërgatitur profesionalisht e shumë të përgjegjshëm. Këtë aktivitet e paskit menduar në atë mënyrë që, ashtu si Akademia e Platonit që paska pasur 27 anëtarë, edhe sheshi i Mitrovicës t’ua prezantojë qytetarëve të vet 27 intelektualët më të dalluar.

Por shtrohet pyetja a janë të gjithë këta intelektualë që kanë lindur në Mitrovicë apo në rrethinën e saj dhe a kanë vepruar në këtë mjedis?

Mendoj se nuk do të duhej të bëhej përzgjedhja dhe prezantimi i intelektualëve të një qyteti vetëm sipas shijes së një apo dy individëve! Do të duhej të formohej një komision me profesionistë të fushave të ndryshme: mjekësisë, ekonomisë, arsimit, shkencës, kulturës...

Në këtë qytet kanë lindur dhe kanë dhënë kontributin e tyre shumë intelektualë. Po, a është nga Mitrovica Dr. Xheladin Deda, mjeku i parë i diplomuar në mesin e viteve ’30 në Itali, apo këtë fakt nuk e ka ditur përzgjedhësi apo përzgjedhësit e vetëzgjedhur?!

Cili intelektual shqiptar nga Mitrovica ka marrë gradën shkencore “Doktor” para Musa Gashit? Ai ishte enciklopedi, njohës i disa gjuhëve botërore, pra njeri që është shquar dhe ka reflektuar në shumë fusha të dijes. Kontributi i tij në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri (në Gjimnaz, në Normale, në Fakultetin e Shencave Matematike-Natyrore etj.) është shumë i madh. A i keni pasur parasysh veprat shkencore të tij?

Po a ka pasur, madje a ka edhe sot ndonjë poet që e ka lënë nën hije Fahredin Gungën, një ndër shkrimtarët më të veçantë në letërsinë shqipe në Kosovë e Shqipëri?

Po a ka ndonjë autor në Kosovë që ka shkruar Historinë e popullit shqiptar para Milan Perkajt?

Historia do të na gjykojë nëse e injorojmë apo e anashkalojmë këtë personalitet të dijes.

Po kaq i rëndësishëm është edhe inxhinieri i makinerisë, Xhevat Morina, mësimdhënës shumëvjeçar dhe shtyllë e Shkollës së Mesme Teknike.

Është dashur, së paku, të përmenden edhe prof. mr. Shinasi Korenica, matematikan, prof. Ehat Prekazi, ing. Zeqir Rugova, prof. universitar, prof. Sali Nushi, prof. dr. Abdurrahman Ramaxhiku (profesor universitar në Fakultetin e Mjekësisë), prof. Mustafë Venhari, profesor në Gjimnaz dhe i burgosur politik, prof. dr. Asim Salihamixhiqi (profesor universitar), dr. Bajram Rexhepi, dr. Nexhat Çuni etj., etj., etj.

Një akademi më vete ka qenë Tafil Boletini, prandaj edhe këtë duhet t’ua prezantonit brezave të rinj për ta njohur. Edhe ai është injoruar ashtu si Adem Isa Boletini, një ndër oficerët e parë me gradë të lartë ushtarake etj., etj., etj.

Kjo përzgjedhje është bërë pa shije, prandaj, ju lutem, o drejtues të kulturës, mos improvizoni këso gjërash shumë të gërditshme, sepse dëshmojmë para botës mjerimin tonë intelektual. Medet, sa mediokër që jemi!...

Nëse Platoni në Akademinë e tij ka pasur 27 intelektualë, nuk do të thotë që sot edhe Akademia e Tafil Pecit dhe Nexhmedin Spahiut të ketë po aq. Është mirë që “Akademia”juaj të rrisë këtë numër, ose ta zvogëloni, por mos të improvizojë!...