Abrashi përmend 7 shkurtin si mundësi të zgjedhjeve
BKT
Lajme

Abrashi përmend 7 shkurtin si mundësi të zgjedhjeve

Për dallim nga takimi me Albin Kurtin, i cili ka zgjatur rreth 1 orë, takimi i u.d të presidentes, Vjosa Osmani me përfaqësuesin e LDK-së, Arban Abrashi ka zgjatur rreth 20 minuta.

Pas takimit Abrashi e ka vlerësuar këtë takim si preliminar dhe ka treguar se para u.d të presidentes Vjosa Osmani ka paraqitur kërkesat e këtij subjekti.  

“Në emër të LDK-së erdhëm në diskutimet preliminare me u.d. presidenten Vjosa Osmani, ku paraqitëm disa prej qëndrimeve dhe kërkesave tona që duhen të merren parasysh. Shpeshherë kohët e fundit e kemi përmendur që zgjedhjet mund të mbahen në janar dhe kemi treguar që jemi të gatshëm për zgjedhje. Por, duhet të gjejmë fuqi politike që ta miratojmë buxhetin për vitin 2021, sepse kjo ka ndikim tek secili qytetar. Pra, ekziston një urgjencë që ligji për buxhet të kalojë dhe të garantohet stabiliteti financiar i vendit”, ka thënë Abrashi.

Ai tutje ka thënë se në takimin e sotëm data që është përmendur për zgjedhje ka qenë 7 shkurti, por sipas tij vetëm pas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese do të kemi një datë të saktë të zgjedhjeve.

Lidhur me atë se kush do të jetë kandidat për kryeministër nga LDK, Abrashi ka thënë se ende nuk ka ndonjë emër dhe se për këtë çështje së shpejti do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i këtij subjekti. 


MË SHUME NGA Lajme