Paqartësi nëse Osmani mbetet ud e presidentit pas shpërbërjes së Kuvendit
Ramush Tahiri ka thënë se derisa Vjosa Osmani nuk do të jetë më kryetare e Kuvendit pas shpërbërjes së tij, s’mund të jetë as ushtruese e detyrës së presidentes.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Ramush Tahiri, ka thënë se Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë humbjen e mandatit apo mosdrejtën e kandidimit dhe të zgjedhjes së një deputeti nga fillimi, por se s’mund të anulojë veprimet e tij gjatë mandatit duke e krahasuar me rastin e Behgjet Pacollit.
“Gjykata nuk mund te merret me pasojat e nje veprimi ose mos veprimi qe del nga ushtrimi i mandatit te deputetit. Gjykata nuk mund ta parashikoje se si do te kishte votuar pasuesi ose zevendesuesi i deputetit Arifi konkretisht ne votimin per zgjedhjen e Qeverise Hoti. Gjykata nuk mund te anuloje dhe nuk e ka mandat zgjedhjen e Qeverise Hoti”.
Tahiri ka thënë se ajo që mund të thotë Gjykata është konstatimi se në vend të deputetit Arifi është dashur të vijë deputeti tjetër nga subjekti i njëjtë politik sipas listes së votave në KQZ.
Ai po ashtu ka thënë se derisa Vjosa Osmani nuk do të jetë më kryetare e Kuvendit pas shpërbërjes së tij, s’mund të jetë as ushtruese e detyrës së presidentes.
Në vend të saj, sipas Tahirit, aktivizohet klauzola që ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës të jetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama sipas funksionit për të shprehur unitetin e popullit dhe institucional.
“Perndryshe Presidenti në detyrë nuk mund të ushtrojë funksione të tjera politike as të formojë parti politike e as të garoj deputete. E kam fjalën për Vjosa Osmanin nëse mbetet në këtë pozitë gjatë procesit të zgjedhjeve”, ka thënë Tahiri.
Në anën tjetër, ndryshe mendon analisti Ehat Miftaraj. Ai për RTKLive ka thënë se Vjosa Osmani vazhdon të ushtroj pozitën e Kryetares së Kuvendit të Kosovës deri në zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë faktin se e njëjta do të vazhdoj të jetë U.D. e Presidentit së paku deri më 5 maj 2021.
“Vjosa Osmani vazhdon të ushtroj pozitën e Kryetares së Kuvendit të Kosovës deri në zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë faktin se e njëjta do të vazhdoj të jetë U.D. e Presidentit së paku deri më 5 maj 2021. Apo deri në zgjedhjen e Presidentit të ri ose Kryetarit të ri të Kuvendit pas zgjedhjeve të parakohshme që pritet të mbahen, nëse kjo ndodh para datës 5 maj 2021”, ka thënë Miftaraj.
Po ashtu e paqartë mbetet edhe interpretimi tjetër nëse në zgjedhjet e reja për deputetë mund ta garojnë personat e dënuar në tri vitet e fundit. Kjo masë e vendosur dje në atkgjykimin e Kushtetueses për rastin e Etem Arifit, mund ta lejë jashtë listës zgjedhore kryetarin e VV-së, Albin Kurtin dhe disa bashkëpartiakë të tij.
Nga partia e Kurtit e kanë mohuar se ai dhe të tjerët janë të “dënuar” që të mos garojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Tash i mbetet KQZ-së që ta impelmentojë këtë vendim pasi që duhet t’i certifikojë kandidatët për deputetë. /RTKLive/























