Kryeziu: VV-ja e votoi buxhetin sepse u morën për bazë kërkesat tona
BKT
Lajme

Kryeziu: VV-ja e votoi buxhetin sepse u morën për bazë kërkesat tona

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se arsyeja se pse kjo parti e mbështeti sot miratimin e buxhetit të shtetit për vitin 2021 ka të bëjë me përkrahjen e amandamenteve nga komisioni për buxhet dhe financa.

“E kemi përkrah buxhetin me ato amandamente, sepse i duhen vendit. Po ashtu me këtë votim ne deshëm ta evitojmë rrezikshmërinë që kishte të bënte me 124 amandamentet që në mënyrë individuale i dorëzuan dhe që kapnin vlerën e mbi 330 milionë eurove”, ka thënë Kryeziu.

Sipas saj, nëse do të votoheshin ato amandamente, do të ishte “masakër” e madhe e buxhetit.

“Shumica e atyre amandamenteve ishin me efekt zgjedhor, por kishte ndoshta edhe ndonjë të mirë”, tha ajo.

Kryeziu tutje tha se VV-ja ka qenë partia e vetme që ka kërkuar të shkohet në zgjedhje.

“Ne nuk iu kemi frikësuar asnjëherë zgjedhjeve, për dallim nga partitë tjera. Edhe LDK-ja, edhe PDK-ja, edhe AAK-ja e kanë kuptuar që në krye të kësaj qeverie po vije VV-ja dhe kanë dashur t’i çojnë përpara këto amandamente”, ka thënë Kryeziu.

Të kujtojmë se VV-ja në leximin e parë nuk e kishte mbështetur miratimin e buxhetit, duke e vlerësuar edhe si “sharrë” nga partitë qeverisëse. /RTKLive/


MË SHUME NGA Lajme