Ministri i jashtëm italian i jep mbështetje Kosovës për vaksinën antiCovid
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj- Stublla, sot priti në takim Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, z.Luigi di Maio.
Shefja e diplomacisë kosovare tha se kishte kënaqësi të veçantë ta mirëpret në Prishtinë
Ministrin di Maio, i cili po qëndron në Kosovë për të përshëndetur trupat italiane që
shërbejnë në kuadër të KFOR-it.
“Me homologun italian kishim një takim të frytshëm, ku diskutuam për situatën aktuale në
Kosovë dhe zhvillimet në rajon, e sidomos për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha mes
Kosovës dhe Italisë, dy vende që vazhdojnë të fuqizojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes
vete”, tha pas këtij takimi Kryediplomatja e Kosovës.
Pashmangshëm një prej temave qendrore të takimit ishte situata me pandeminë në të dyja
shtetet, ku Ministrja Haradinaj-Stublla mori përkrahjen e Ministrit Di Maio për bashkëpunim
të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19
për qytetarët e Kosovës.
“Ministri Di Maio më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të
krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në
pjesën e parë të vitit 2021”.
Përkrahja nga Italia nuk ka munguar as gjatë periudhës së pandemisë, ku ndihma nga shteti
italian si dhe asistenca e Komandës Italiane të KFOR-it në menaxhimin e situatës kanë qenë
thelbësore.
Ministrja Haradinaj-Stublla bëri të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar gjithashtu edhe
për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi strategjike, veçanërisht në atë të
mbrojtjes dhe përkrahjes së mëtejme për fuqizimin e rinisë së mrekullueshme të Kosovës.























