De Vrij: Më pëlqen të jem “muri” i Interit, me Conten jam bërë më “i keq”
BKT
Sport

De Vrij: Më pëlqen të jem “muri” i Interit, me Conten jam bërë më “i keq”

Pak ditë nga rikthimi në fushë për ndeshjen e radhës në kampionat, që i sheh zikaltrit të impenjohen përballë Crotones të dielën në mesditë, Stefan De Vrij ka dhënë një intervistë të gjatë për mediat italiane.

Dikur epitetin “muri” e mbante mbrojtësi argjentinas Walter Samuel, ndërsa sot “murin” te zikaltrit e ka ngritur pikërisht holandezi, që ka pranuar se i pëlqen shumë kjo nofkë dhe ka folur me superlativa për shokët e repartit te Interi.

“Më pëlqen nofka muri, pasi edhe te Interi jam prezantuar duke ndërtuar një mur. Kam folur me Samuel në disa evente dhe mund të them që është një njeri shumë i zoti. Në mbrojtje kemi ndryshuar shumë dhe jemi bërë më kompaktë, çka e bën punën më të lehtë. Kalojmë shumë mirë me njëri-tjetrin edhe jashtë fushe, ndaj kjo na ndihmon edhe më shumë”, tha holandezi.

Interi dështoi të kualifikohet në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, pasi nuk arriti të shënojë një gol ndaj Shakhtar Donetsk. Eliminimi natyrisht që “djeg” edhe për De Vrij, por holandezi bën thirrje që skuadra të përqendrohet në kompeticionet e mbetura, për t’u shkuar deri në fund.

“Është e qartë që na mungoi diçka në rrugëtimin tonë në Champions dhe mund të kishim bërë më mirë., por nuk besoj se ia vlen të kthejmë kokën mbrapa. Do të donim të ishim kualifikuar, por tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përqendrohemi te kampionati dhe Kupa e Italisë. I kemi mundësitë të bëjmë më mirë sesa deri tani dhe të sjellim një trofe këtë sezon”, tha De Vrij.

Antonio Conte i ka besuar holandezit jo vetëm rolin e liderit të prapavijës, por shpesh edhe nxjerrjen e skuadrës në sulm, pasi nga këmbët e tij kalojnë shumë shpesh topat. De Vrij flet me superlativa për trajnerin dhe pranon se falë tij është bërë më i ashpër në fushë.

“Conte është një trajner me mentalitet fituesi, që bën skaudrën për vete dhe arrin të marrë maksimumin nga të gjithë futbollistët. Transmeton pasion dhe mentalitet fituesi, ndërsa mua më ka ndihmuar shumë, pasi shpesh më thoshte që jam shumë i mirë me kundërshtarit dhe tani falë tij po përmirësohem në këtë aspekt dhe po bëhem “më i keq”. Nuk ka asnjë aspekt negative te Conte, pasi të gjithë jemi të bashkuar dhe të përqendruar të bëjmë sa më mirë në të gjithë ndeshjet”, deklaroi mbrojtësi holandez.