Hoxhaj telefonatë me senatorin Dole, e falënderon për mbështetjen e madhe
BKT
Lajme

Hoxhaj telefonatë me senatorin Dole, e falënderon për mbështetjen e madhe

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, përmes një telefonate që e ka pasur me senatorin Bob Dole, e ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës.

Kandidati për kryeministër nga PDK, njëherësh edhe kryetar në detyrë i kësaj partie, Enver Hoxhaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar se ka zhvilluar një telefonatë me senatorin Bob Dole, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë jetës.

“Si kryeministër i ardhshëm e sigurova atë se, edhe në sfidat dhe proceset e ardhshme, përkushtimi ynë, përkushtimi i popullit tonë, do të jetë forcimi i partneritetit strategjik në mes të dy vendeve tona.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, derisa ka shpërndarë edhe një fotografi, ku shihet bashkë me Bob Dole.

“Kisha kënaqësinë dhe nderin që gjatë një bashkëbisedimi shumë të mirë t'i uroj Vitin e Ri mikut të madh të Kosovës, ish kandidatit për president të SHBA-ve, senatorit Bob Dole. Edhe këtë herë, sikur gjatë gjithë jetës së tij, senatori Dole shprehu dashurinë e tij të madhe për Kosovën dhe urimin që të kemi një vit sa më të mbarë dhe me më shumë prosperitet. E falënderova përzemërsisht senatorin Dole për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë popullit të Kosovës. Si kryeministër i ardhshëm e sigurova atë se, edhe në sfidat dhe proceset e ardhshme, përkushtimi ynë, përkushtimi i popullit tonë, do të jetë forcimi i partneritetit strategjik në mes të dy vendeve tona. Aty ku është Amerika është edhe Kosova!”, ka shkruar Hoxhaj.


MË SHUME NGA Lajme