Ndërtimet ilegale në veri të vendit, provokim i radhës
Kohëve të fundit bëhet e ditur se janë ndarë mbi 35 banesa në veriun e vendit, në vendin e quajtur Lugina e Diellit, nga qeveria e Serbisë.
Lidhur me këtë çështje deputetja nga radhët e PDK-së, e cila vjen nga ai rajon, Valdete Idrizi, reagoi duke kritikuar organet kompetente si ato lokale, ashtu edhe qendrore që nuk po bëhet sa duhet në kthimin e popullatës shqiptare atje.
“Banorët e vendosur në ato ndërtesa të ndërtuar kohëve të fundit janë banorë të rinj, të panjohur jo vetëm për shqiptarët, por edhe për serbët, banorë të hershëm aty”, deklaroi deputetja Idrizi në “Studio e hapur”, në RTK.
Tutje ajo theksoi se këta banorë janë të ardhur nga viset e Serbisë, prandaj banorët vendorë, jo vetëm ata shqiptarë, por edhe të tjerët, ndihen të frikësuar, sepse janë të panjohur.
Më tej ajo shpalosi historikun e problemit të kësaj çështjeje, që nis që nga viti 2000, kur nis deportimi me dhunë i shqiptarëve nga vendbanimet e tyre.
Deputetja Idrizi tregoi për peripecitë e banorëve shqiptarë, të cilët jetojnë me vështirësi të mëdha ekonomike.
Sipas saj, vetëm në kohën e qeverisjes nga Avni Kastrati, askush tjetër nuk është marrë me problemet e shqiptarëve atje.
Deputetja Idrizi theksoi se vetëm PDK është marrë seriozisht me problemet e banorëve shqiptarë në atë pjesë të vendit dhe jo vetëm, duke kujtuar se kjo parti zëshëm reagon edhe ndaj veprimeve të qeverisë serbe ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Veç tjerash ajo kritikoi qeveritë e viteve të fundit, qoftë ai Kurti, qoftë ai Hoti, në ballafaqimin me provokimet e qeveritarëve serbë./RTKLive























