Idrizi: PDK do të fitojë për ta rimëkëmbur vendin
Deputetja nga radhët e PDK-së, Valdete Idrizi, përveç ndërtimeve pa leje në veri të Mitrovicës, foli edhe për situatën në vend, me theks të veçantë, për zgjedhjet
Në “Studio e hapur”, në RTK, deputetja Idrizi, veç tjerash, kritikoi qeveritë e viteve të fundit, qoftë atë Kurti, qoftë atë Hoti, në ballafaqimin me provokimet e qeveritarëve serbë.
Ndër të tjera, deputetja Idrizi vlerësoi si të papjekur veprimet e qeveritarëve tanë karshi situatës në të cilën ndodhemi.
“Duke qenë që jemi shtet, krerët e institucioneve tona shtetërore do të duhej të silleshin ma mirë, në mënyrë më të pjekur”, deklaroi ajo.
Ajo veçmas kritikoi disa nga liderët tanë që, nga veprimet e tyre të pamatura, kanë bërë që ne, si vend, të ngecemi ende pa viza, e shumë gjëra tjera.
Me këtë shkas ajo përmendi liderin e LVV-së, Albin Kurti, i cili ka dëmtuar shumë raprotet me SHBA-të.
Deputetja Idrizi shprehu optimizmin se nga kjo situatë ka rrugëdalje, duke përmendur PDK-në si një parti që ka treguar vlera të larta politike e emancipuese.
"PDK ka dëshmuar që është konsistetnte si opozitë ndaj partive politike në pushtet, por jo ndaj shtetit, si e tillë ne nuk kemi vënë vija të kuqe, ndryshe nga partitë tjera", deklaroi ajo.
Më tej ajo foli për gatishmërinë e PDK-së për të garuar politikisht në zgjedhjet e ardhshme, që sipas saj në këto zgjedhje hyjmë me dëmtime të rënda, sepse dihet, liderët tanë, ish-kryetarin e PDK-së, cili, së fundi ishte kryetar i vendit, Hashim Thaçi, si dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, i kemi në Hagë.
Ajo, pashmangshëm, foli për arrestimin e padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nga GjS, duke thënë se Serbia është ajo që ka bërë krime dhe jo ne, duke shprehur bindjen se krerët e shtetit tonë, që tani janë atje në Hagë, natyrshëm që do ta mbrojnë më së miri luftën e shenjtë të UÇK-së.
“Si PDK hyjmë në garë për të fituar, për të rimëkëmbur këtë vend”, u shpreh ajo me optimizëm.
Ajo më tej shfaqi dallimin që ka PDK me partitë tjera.
“Për dallim nga partitë tjera, PDK gjithëmonë ka ofruar ide për menaxhim ma të mirë, sidomos gjatë pandemisë, ndryshe nga LVV që gjithmonë ka bllokuar nismat tona”, sqaroi ajo, duke shtuar se PDK është marrë me qytetarët, ndërkohë që të tjerët janë marrë me ne.
Më pas ajo foli për shtimin e radhëve të PDK-së me anëtarë të rinj, por edhe për votues të rinj, që ishin votues të partive tjera, tani votojnë për PDK-në./RTKLive























