Shala: PDK-ja ka programin më të mirë zgjedhor, jemi të bindur në fitore
BKT
Lajme

Shala: PDK-ja ka programin më të mirë zgjedhor, jemi të bindur në fitore

Kandidati i PDK-së për deputet, Ferat Shala, ish deputet në legjislaturën e kaluar, ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm dhe Kryesia e PDK-së si asnjëherë tjetër janë unik dhe të bashkuar, duke ofruar koncept të qartë qeverisës në këtë fushatë elektorale.

“Ne jemi unik dhe të bashkuar si asnjëherë më parë. Nuk kemi as edhe keqkuptimin më të vogël. Lista zgjedhore e PDK-së përbëhet mbi 60 për qind me figura të reja të cilat partisë sonë i japin gjak dhe frymë të re. kjo është bërë me koncenzus të madh nga të gjithë drejtuesit aktual të PDK-së”, ka thënë Shala në emisionin “N’Kuvend” të RTK-së.

Sipas tij, PDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit hyn më ofertë të qartë, duke ofruar vlerat e së kaluarës dhe ato të së tashmës.

“PDK-ja e ka ofertën e qartë, ofrojmë vlerat e të kaluarës, rrugëtimin tonë, historinë e UÇK-së si asnjë subjekt tjetër. Sot ofrojmë programin më të mirë elektorale, një program që kategorizon gjithë të kaluarën dhe të tashmën, një program që i rregullon të gjitha gabimet që kanë bërë qeveritë e kaluara. E kemi ofertën më të mirë, kandidatin më të mirë për kryeministër dhe listën më të mirë zgjedhore”, ka thënë Shala.

Ai tha se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë liderë historikë që i kanë dhënë shumë Kosovës. “Prandaj krenohemi me të kaluarën dhe të tashmën e tyre. E kemi obligim shtesë që për ata, pra për Thaçin dhe Veselin, të jemi më këmbëngulës dhe jemi thellë të bindur në fitoren tonë edhe për vlerësimin e tyre që janë atje. PDK nuk e harron kontributin e askujt dhe i vlerëson të gjithë”, ka thënë Shala. /RTKLive/


MË SHUME NGA Lajme