Jaho shpërblehet me çmim në “International Classical Music Awards”

Jaho shpërblehet me çmim në “International Classical Music Awards”

Sopranoja e njohur bëri krenarë gjithë shqiptarët.

Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtar Ermonela Jaho, është shpërblyer më çmim nga Juria e Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike.

Ajo rrëmbeu çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale, me albumin e saj të suksesshëm “Anima Rara”.

“Sopranoja e shkëlqyer shqiptare Ermonela Jaho tregon një artistikë të shkëlqyeshme dramatike. Karizma dhe aftësia e saj për të fituar simpatinë emocionale tek dëgjuesi dallojnë këndimin e saj të jashtëzakonshëm, i cili përfiton nga një timbër shumë karakteristik dhe i njohur. Zëri i saj vazhdimisht i ngrohtë dhe i fuqishëm projektohet në mënyrë të barabartë në të gjithë gamën e regjistrave të sopranos dhe është i aftë për të gjitha nuancat e nevojshme dinamike dhe shumëngjyrëshe”. thotë juria.

Ndërsa, Ermonela u shpreh shumë e lumtur për këtë sukses, ndrësa kishte disa fjalë për t’i thënë.

”Jam shumë e lumtur t’ju lajmëroj se albumi Anima Rara ka fituar çmimin e parë në kategorinë e muzikës vokale nga ICMA (Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike). Dua të falenderoj ICMA për nderimin dhe gjithashtu të shpreh vlerësimin tim ndaj ekipit te Opera Rara dhe kolegëve të mrekullueshëm që bashkëpunuan me mua për të sjellë në jetë këtë muzikë te mrekullueshme. Kemi kuptuar përgjatë kësaj kohe sesa na nevojitet Arti dhe sa e vështirë është që të krijohet. Ju falenderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Ju dua te gjithëve”, ka shkruar ajo.