​Subjektet politike kanë dorëzuar 9 ankesa në PZAP

​Subjektet politike kanë dorëzuar 9 ankesa në PZAP

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), deri në ditën e djeshme janë dorëzuar nëntë apele nga partitë e ndryshme politike. Shumica e këtyre ankesave kanë të bëjnë me mos-certifikimin e kandidatëve në listat zgjedhore, për kandidat për deputet.

Kështu thotë për KosovaPress, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.

Përmes postës elektronike, Desku thotë se deri të shtunën janë paraqitur/dorëzuar 9 apele, ku pjesë e këtyre ankesave është Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK-ja për mos certifikim të kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja.

Ndërsa Nisma Socialdemokrate, përveç listës së kandidatëve, ka bërë ankesë edhe për mos-certifikimin e partisë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-ja), Për shkak mos certifikimit të Listës se Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja. Nisma Socialdemokrate-NISMA, Për shkak mos certifikimit të subjektit politik dhe Listës së Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja. Lëvizja Vetëvendosje! Për shkak të mos certifikimit të Listës se Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja”, thotë Desku.

Desku, në përgjigjet e tij me shkrim thotë se edhe nga minoritetet janë katër parti të cilat kanë dorëzuar ankesa në PZAP për mos-certifikimin e kandidatëve për deputetë nga KQZ-ja.

Ai thotë se nga partia Socialdemokratska Unija, ka pasur ankesë edhe për shkak të ndodhjes së një kandidati shqiptar në listën e subjektit të saj.

Ndërsa nga Partia e Demokratike e Ashkalive për Integrim, ka pasur tre ankesa, ku dy janë në emër të subjektit politik, ndërsa njëra është nga kandidati, për mos certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK) - Për shkak mos certifikimit të Listës së Kandidatëve për deputet nga KQZ-ja. Partia e Ashkalive për Integrim (PAI) - Ka sjellë tre apele, dy janë në emër të subjektit politik dhe njëra në emër të një Kandidatit për shkak të mos certifikimit të tij në listë nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. PREBK, për shkak te mos certifikimit të një Kandidate nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Socialdemokratska Unija – Duda Balje, për shkak te ndodhjes se një Kandidate shqiptar ne listën e subjektit te saj”, ka thënë Desku.

Desku ka thënë se PZAP-i në afat prej 72 orëve prej momentit të pranimit të këtyre apeleve ka për obligim që të fillojë shqyrtimin dhe të vendosë për to.

Ndërkohë KQZ-ja ka bërë të ditur se në bazë të planit operacional i gjithë procesi i ankimit në PZAP dhe Gjykatë Supre3me do të zgjatë deri më darë 30 janar, në mënyrë që më 1 shkurt të bëhet hedhja e shortit për renditjen e subjekteve politike për zgjedhjet e 14 shkurtit./