Kurti e mirëpret zyrtarizimin e njohjes diplomatike nga Izraeli
BKT
Lajme

Kurti e mirëpret zyrtarizimin e njohjes diplomatike nga Izraeli

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka përshëndetur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izraeli duke shfaqur shpresën se ato do të kontribuojnë në thellimin e lidhjeve politike, ekonomike dhe kulturore ndërmjet dy shteteve.

“Ne e mirëpresim lajmin e sotëm të mirë të marrëdhënieve tashmë të vendosura diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit. Ne shpresojmë të punojmë së bashku në thellimin e marrëdhënieve tona politike, ekonomike dhe kulturore”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Kosova dhe Izraeli kanë vendosur sot marrëdhënie diplomatike përmes nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit mes Ministrive të Jashtme për konsultime politike dhe për bashkëpunim zhvillimor.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike u nënshkrua nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj izraelit, Gabriel Ashkenazi.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit, është arritur më 4 shtator të vitit të kaluar në Uashington.


MË SHUME NGA Lajme