Kosova me ambasadë në Jerusalem, BE: Për të ardhur keq
Republika e Kosovës dhe Izraeli kanë vendosur dje marrëdhëniet diplomatike ndërsa pritet që Kosova të hap ambasadën e saj në Jerusalem. Kjo parashihet në dokumentin e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit të kaluar, kur edhe u bë publike njohja nga Izraeli, por vendosja e ambasadës në Jerusalem po has në kundërshtim të Bashkimit Evropian, që sipas këtij blloku, ajo duhet të vendoset në Tel Aviv, siç veprojnë shtetet anëtare të BE-së.
Institucionet e Kosovës e kanë vlerësuar të rëndësishme ditën e djeshme ku zyrtarisht janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, njohje kjo që derivon nga dokumenti i 4 shtatorit ku Kosova dhe Serbia nënshkruan ndaras në praninë e ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Bashkimi Evropian ka bërë të qartë menjëherë pozicionin ku zëdhënësi Peter Stano përmes një konference për media sot ka thënë se një vendim i tillë e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit.
Stano: Vendimi për të hapur ambasadë në Jerusalem është për të ardhur keq
“Në përgjithësi, është gjithmonë një zhvillim i mirëpritur nëse partnerët tanë të jashtëm vendosin të krijojnë marrëdhënie të mira mes vete, nëse fillojnë normalizimin e marrëdhënieve të tyre, megjithatë, kur bëhet fjalë për çështjen e hapjes së një ambasade në Jerusalem, do të më duhet të them se ky është një vendim për keqardhje nga ana e Kosovës, sepse ky vendim në thelb po e devijon Kosovën nga pozicioni i BE-së për çështjen e Jerusalemit. Për Bashkimin Evropian, çështja e Jerusalemit është diçka që është shumë e qartë kur bëhet fjalë për përfaqësimin diplomatik të shteteve anëtare. Sapo kujtova që të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së janë të vendosura në Tel Aviv, bazuar në vendimet përkatëse nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të KB dhe konkluzionet e Këshillit Evropian, dhe pozicioni i kahershëm i Bashkimit Evropian mbi çështjen i Jerusalemit, është se zgjidhja përfundimtare e statusit të Jerusalemit duhet të gjendet përmes negociatave të drejtpërdrejta midis izraelitëve dhe palestinezëve. Ata duhet ta zgjidhin këtë, statusi i Jerusalemit është një kryeqytet i ardhshëm i të dyja shteteve dhe pozicioni i BE nuk ndryshohet. Prandaj, ky vendimi nga ana e Kosovës nga partnerët tanë në Kosovë është për të ardhur keq, dhe më lejoni të kujtoj se Kosova ka paraqitur integrimin në BE si përparësinë e saj strategjike dhe pritet që të veprojë në përputhje me angazhimin e saj”, tha Stano.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, po mbështet qëndrimin e Kosovës të treguar në zotimet e 4 shtatorit. Sipas tij, Kosova duhet të ecë përkrahë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe çështja e vendosjes së ambasadave, siç thotë ai, u përket vendeve sovrane.
Hoti: Kosova të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës
“Absolutisht mbështes këtë qëndrim sepse siç thash, Kosova ka partnerin e vet strategjik sepse edhe në raste të tjera, përkundër kundërshtimeve dhe komenteve pro dhe kundër, Kosova vazhdon bashkëjetesën dhe ecjen e përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi këtë bazë mendoj që duhet të bashkëfrymojmë dhe të ecim bashkë në të ardhmen”, thotë Hoti.
Por ndryshe mendon Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, sipas tij Kosova ka gabuar me zotimin e saj për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.
Shasha: Kosova është dashur të vendosë vetëm konsullatë ne Jerusalem
“Konsideroj që ka qenë gabim që ambasada të vendoset në Jerusalem, nëse ka ekzistuar një presion nga ana e Izraelit apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të bërë një gjë të tillë, ne është dashur të tregojmë pak mençuri, të themi se ambasadën nuk mundemi ta vendosim në Jerusalem por çfarë po bëjmë, sikur të gjitha vendet e tjera, po e vendosim ambasadën në Tel Aviv ndërsa për të gjetur një mes me ju në Jerusalem mund të vendosim një konsullatë sikur vendet e tjera kanë bërë. Nuk është dashur të shkojmë në ekstremin e çështjes ku vetëm ne dhe Guatemala kemi vendosur që ambasada të jetë në Jerusalem”, thotë ai.
Sipas Shashës, asnjë vend në botë nuk dëshiron të shkelë një standard apo detyrim ndërkombëtar dhe të minimizojë një proces sensitiv negociator të paqes, siç është ai mes Izraelit dhe Palestinës.
Njohësit e politikave evropiane theksojnë se vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem do të ndikojë negativisht në raportet e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas tyre, BE do të insistojë që Kosova të tërheq një vendim të tillë ndërkohë një gjë e tillë sipas tyre do të nxiste reagim të ashpër nga Izraeli.
Izraeli e ka njohur Kosovën më 4 shtator të vitit 2020, mundësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe bërë të ditur nga ish-presidenti Trump. Në dokument bëhet e ditur se vendosja e ambasadës do të bëhet në Jerusalem, vend ky që Bashkimi Evropian konsideron me status të pazgjidhur.
Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së janë në Tel Aviv, në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimet e Këshillit të BE-së./G.Kadrija























