Milaim Zeka: Njohja nga Izraeli është meritë e Hashim Thaçit
Analiza zgjedhore në kuadët të RTK-së me analistët Xheraldina Rexhepi, Milaim Zeka, Ramush Tahiri, Dorajet Imeri sonte po analizon fjalorin që po përdorin partitë në ditën e dytë të fushatës zgjedhore.
Dorajet Imeri tha se pozita e Avdullah Hoti si kandidat i LDK-së për kryeministër, është e vështirë dhe kjo sipas tij, vërehet edhe në sondazhe të ndryshme.
“Prandaj deklaratat me akuza mund të jenë kontra produktive. Unë nuk e shoh LDK-në më shumë se 135-140 mijë vota, sepse mungojnë votat personale të Vjosa Osmanit”, tha Imeri.
Ndërkaq, ish deputeti Milaim Zeka tha se meritat e deritashme politike janë të gjitha meritë e ish presidentit, Hashim Thaçi, si ajo e njohjes së Izraelit dhe shumë tjera.
“Befasohem se si deri sot askush nuk foli për takimin disa orësh të presidentit serb Vuçiq dhe atij francez, Makron për zgjidhje inovative të problemit të Kosovës. Ndërsa siç e kam pa sonte shpalosja e programit të Kurtit ishte program social me gjithë gënjeshtrat e tij aty. Besoj se nëse Vjosa Osmani do të kishte dalë me listë të saj do shkonte tek 7 përqindëshi”, ka thënë Zeka.
E Ramush Tahiri tha se Hoti nuk e mohon vendin e tij dhe partinë prandaj i gjithë koordinimi i tij është me faktorin ndërkombëtar.
“LDK-ja ka rritje të numrit të votive, por ka zbritje të përqindjes. Ajo ka një elektorat të saj dhe si çdo parti tjetër tenton të bën votues të rinj”, ka thënë Tahiri. /RTKLive/























