Blerta Deliu: Qeveritë e kaluara na larguan me miqtë ndërkombëtarë
Kandidatja për deputete nga PDK-ja, Blerta Deliu-Kodra në “Debatin Zgjedhor” në RTK, ka thënë se Kosova nuk ka qenë asnjëherë më larg me partnerët ndërkombëtarë se me qeverinë e kaluar.
“Çështje e dialogut është një ndër temat më të rëndësishme të vendit dhe në raport me dialogun partitë politike dhe ato që kanë qenë në qeveri do duhej të silleshin me përgjegjësi të plotë. Ne e kemi parë me qeverinë e kaluar se asnjëherë Kosova nuk ka qenë më larg me partnerët tanë, asnjëherë nuk ka qenë më e izoluar me miqtë. Dhe këto qëndrime i kemi thënë hapur si parti opozitare”, ka thënë ajo.
Sipas saj, qeveria e kaluar nuk ka pasur një platform të qartë politike gjithashtu nuk ka pasur asnjë lëvizje sa i përket njohjeve.
“Gjithashtu kemi parë një cenim të raporteve me SHBA-të. Ne në një nga pesë pikat e paketës së rimëkëmbjes është pikërisht çështja e dialogut, sepse konsiderojmë që dialogun duhet ta sjellim aty ku nuk është në status kuo, por të kemi qartësi dhe afate kohore”, ka shtuar Blerta Deliu-Kodra. /RTKLive/























