Sejdiu: Nuk është dashur të ketë marrëveshje për Asociacionin
Ish presidenti, Fatmir Sejdiu ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 është përcjellë më vështirësi pasi që ka pasur hezitime për njohjen nga fqinjtë, në këtë rast nga Mali i Zi dhe Maqedonia.
“Ish kryeministri i Maqedonisë, Gruevski nuk ka dashur ta njoh Kosovën, ka punuar pas shpine”, ka thënë ai në “Debat” të RTK-së.
Duke folur për dialogun me Serbinë, ai tha se nuk është dashur të këtë marrëveshje për Asociacionin.
“Është pjesë e lëshimit që nuk është dashur të ndodhte. Këtë e përmirësoi Gjykata Kushtetuese. Çështja e dialogut është tepër e ndjeshme, por s’ka filluar si duhet. E ka filluar me nguti dhe kemi ardhur në një fazë bllokimi të tillë, pra në formën se si është bllokuar. Qëndrimi im nga viti 2008 dhe këndej ka qenë se duhet të respektohet dy-tri gjëra thelbësore: Pakoja e Ahtisaarit ka qenë alfa dhe omega e gjithë procesit tonë dhe ne kemi bërë gjithë sakrificën si vend. Kemi kërkuar dhe kemi pajtuar që ai projekt, i cili po të dilte në referendum pa sqarime për qytetarët nuk do të pranohej për pika të caktuara”, ka thënë Sejdiu.
Sipas tij, është problem të hysh në dialog pa e ditur se cilat probleme do t’i diskutosh.
“Të hysh në dialog pa nivelet e përcaktuara se kur dhe ku. Të hysh në një dialog që e rrezikon çështjen e statusit, sepse Serbia ka pasë atë intencë. Të hysh në një dialog të pafund që ka qenë vullnet i Serbisë ta stërzgjasë. Të hysh në një dialog që s’dihej roli i SHBA-së. Ka qenë e rrezikshme”, ka thënë ai. /RTKLive/























