DASH, thirrje Kosovës t`i japë përparësi dialogut me Serbinë
BKT
Lajme

DASH, thirrje Kosovës t`i japë përparësi dialogut me Serbinë

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA-ja do ta inkurajojë Qeverinë e re të Kosovës, që sapo të jetë formuar, t’iu japë përparësi negociatave me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”, tha Price, transmeton REL.

Ai tha se SHBA-ja e përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare, që u mbajtën më 14 shkurt.

“Ne shpresojmë të punojmë me Qeverinë, sapo ajo të formohet, për çështjet prioritare, për të avancuar paqen, drejtësinë dhe begatinë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë", tha Price.

 


MË SHUME NGA Lajme